Me një gamë të gjerë përdorimi, nga parandalimi i zjarreve te përmbytjet, duke vijuar te bujqësia dhe ndërtimi pa leje, Shqipëria përmes satelitëve të hedhur në hapësirë “Albania 1” dhe “Albania 2”, bëhet pjesë e epokës së ekonomisë së hapësirës.

 

Dritan Prifti, Drejtuesi i Drejtorisë së Përpunimit të informacionit të Territorit me Teknologjitë e Avancuara pranë Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor, prezantoi të mërkurën risitë që sjell monitorimin e territorit tonë përmes shërbimit gjeohapësinor.

 

“Ky projekt është një hap cilësor në modernizimin e sektorit të gjeoinformacionit në Shqipëri. Shërbimet satelitore kanë një gam të gjerë të përdorimit të tyre në çdo fushë të jetës, si në agrokulturë, mjedis, në ndërtimet informale, në fushën e sigurisë Kombëtare. Po ashtu përftohet ndihmë e vyer edhe në fushën e Emergjencave Civile dhe në shumë sektorë tjerë për një reagim sa më të shpejtë”,- tha Prifti, gjatë një aktiviteti për prezantimin e produkteve të para të “Shërbimit  satelitor”, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama.

 

“Shqipëria sot përmes këtij shërbimi, është përkrah vendeve më të zhvilluara të rajonit dhe Europës. Po ashtu përshtatet dhe me epokën e re që lidhet me ekonominë hapësinore. Emërtimi ekonomi hapësinore bazohet në gamën e gjerë të përdorimit që prek shumë institucione, shumë fusha të jetës, të cilat përfitojnë nga këto shërbime satelitore”,- shtoi Prifti.

 

Ai risolli në vëmendje se, “Shqipëria sot ka në hapësirë 2 satelitë, që jetën e tyre e kanë të lidhur vetëm për plotësimin e kërkesave të qeverisë shqiptare dhe vetëm për të mbuluar me imazhe satelitore Republikën e Shqipërisë”.

 

“Këto dy satelitë lëvizin në orbita të ulta hapësinore. Ato përmbajnë dy pajisje të avancuara që bëjnë të mundur mbledhjen e imazheve. Pajisja e parë është një kamer, sensor, që bënë të mundur regjistrimin e pamjeve në spektrin e dukshëm të valëve, të cilat reflektohen nga sipërfaqja e tokës. Por, ka aftësi të regjistrojë edhe valë përtej spektrit të dukshëm. Kruse pajisja e dytë është kamera hiperspektrale, që mund të bëjë të mundur regjistrimin e valëve të refklektuara nga sipërfaqja e tokës me një spektër 10-herë më të madh sesa syri njeriut mund të shikoj”,- bëri me dije Prifti.

 

Ai tha se përtej teknologjisë, një tjetër përfitimi është rritja e kapaciteve njerëzore, që do të trajtojnë dhe analizojnë imazhet dhe informacionet gjeohapësinore që merren përmes satelitëve.

 

“Sot që flasim, është krijuar një grup profesionistësh, i sapo trajnuar, i cili po përdor teknologjinë e avancuar dhe teknikat më të fundit të inteligjencës artificiale, që lidhen me “Deep Learning” dhe “Machine Learning”, që bëjnë të mundur klasifikimin dhe nxjerrjen e informacionit në një kohë sa më të shpejtë dhe sa më të saktë”,- tha Prifti.

 

Ai tha se falë satelitëve sot ka shembuj konkretë se si institucione të ndrsyhme kanë kryer ndërhyrje në raste të fatkeqësive natyrore, si zjarre, përmbytje…etj.

 

“Këto trajnime na bëjnë të mundur që sot t’ju prezantojmë disa raste konkrete se si përpunimi i imazhe satelitore kanë ndihmuar në disa fusha të jetës, si emergjenca civile, raste të zonave të mbrojtura, menaxhimi i trupave ujore, duke matur cilësinë e ujit. Jemi duke krijuar module të reja të automatizuara, që do të bëjnë të mundur që në një kohë sa më të shpejtë të kemi harta tematike për përdorimin tokës dhe për të identifikuar sipërfaqet bujqësore, që janë të punuara apo jo të punuara. Jemi në fazën përfundimtare për identifikimin edhe të sipërfaqeve me sera bujqësore në Shqipëri”, – tha Prifti.

 

“Gjatë 5 viteve të fundit, populli shqiptarë ka përjetuar disa ngjarje jo të këndshme, si 5 tërmete, 150 zjarre në pyje, 4 raste përmbytjesh, rrëshkitje të dherave. Kemi patur një pjesë të rëndësishme të sipërfaqeve të zënë me ndërtime informale, çka ka sjell dëme në mjedis, por edhe humbje të pasurive të pronës publike”,- shtoi ai.

 

Gjatë aktivitetit, u prezantuan dhe dy shembuj konkretë ku Agjencia e Mbrojtjes Civile ka përfituar informacion të vlefshëm përmes satelitëve.

 

“Rasti i parë është zjarri në ishullin e Sazanit, ngjarje e ndodhur në qershor 2022. Imazhet e sjella nga sateliti na tregojnë sipërfaqet e prekura nga zjarri. Përveç ndërhyrjes që bënë forcat operacionale me të gjitha kapacitetet e tyre, duke parë përhapjen e zjarrit përmes imazheve satelitore, nuk u arrit që zjarri të shuhej plotësisht, siç duhej dhe kësisoj u kërkua ndihma nga ajri”, tha Gentiana Maçi, përfaqësuese e Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

 

“Në këto situata, pas shuarjes së zjarrit, vijon monitorimi i vazhdueshëm i situatës së bimësisë, apo zonës së prekur. Për të parë ndryshimet e sipërfaqes së prekur nga zjarri, përmes satelitit monitorohet bimësia i e zonës në  intervale të caktuara kohore. Pas 10 muajsh, pamjet e marra nga satelitit tregojnë edhe rimëkëmbjen që ka ndodhur, edhe pse ajo është e ngadaltë. Ky informacion është mjaft i rëndësishëm për ne, për të na vënë në përgjegjësi për të parë situatën në terren e për të marrë masat e duhura për të parandaluar dhe për t’ju përgjigjur rrezikut të ndodhur”,- tha Maçi.

 

“Rasti i dytë, është rasti që lidhet me përmbytjen në qarkun e Shkodrës, fshati Muriqan, nëntor 2022. Nga rreshjet e shumta të shiut u përmbytën rreth 3000 hektarë tokë bujqësore në zonën e Shkodrës. Lumi Buna është një nga lumenjtë që ka predispozitat për të dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytjen e zonës së Shkodrës. Imazhet satelitore na shërmbyen më mirë për të kuptuar se si është situata e përmbytjes, ku ka ndodhur, cilët janë dëmet, ato infrastrukturore të banesave, por edhe askeve rrugore, të gjësë së gjallë, apo evidentimin e mungesës  së energjisë elektirke…etj. Imazhet kanë shërbyer për të gjendur elementët faktikë të situatës në terren në një kohë sa më të shpejtë dhe për të marrë masat përkatëse për të ndërhyrë. Dhe më tutje për të monitoruar ndryshimeve klimaterike, që mund të sjellin zvogëlimin e risqeve apo shtimin e tyre. Kjo ndihmon në parandalim dhe në ndërhyrje sa më efikase”,- përfundoi Gentiana Maçi, përfaqësuese e Agjencisë së Mbrojtjes Civile.