Projekti në zonën e Zdralës në qytetin e Shkodrës që synon të rijetëzojë Pazarin do të zbatohet për një vlerë 3.3 milionë euro me TVSH. Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se kompania Curri ishte shpallur fituese e procedurës së prokurimit në Lotin A të çelur në muajin korrik me një ofertë prej 275 milionë lekësh pa përfshirë këtu TVSH.

Kjo vlerë përbën 85.8 për qind të fondit limit të vendosur në dispozicion në fillim të çeljes së garës. Por çfarë parashikon në fakt projekti që do të zbatohet? Sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën vetëm loti A parashikon një sërë elementësh.

“‘Lot A’ përfshin rrugën ‘Hamz Kazazi’; fillon nga ‘Xhamia e Parrucës’ dhe vazhdon deri te ‘Markata e Peshkut’.

Përbëhet nga objekte që fillojnë nga 1-9 kate lartësi, ka 95 njësi shërbimi me funksione të ndryshme duke filluar nga butik veshjesh / aksesorë dhe ushqimore (që janë më të përhapurat), dyqan peshku, bar-kafe, dyqan mishi, artikuj shtëpiakë, profesione të lira, fruta-perime, etj.

Rruga ‘Hamz Kazazi’ është rrugë dytësore urbane dhe shtrihet përgjatë gjithë ‘Lot A’; ka parkim të lirë, parkim privat dhe parkim përgjatë rrugës.

Aktiviteti është i lartë, sidomos gjatë paradites sepse kjo rrugë është hyrje për në lagjen ‘Zdrale’ dhe për të frekuentuar njësitë e shërbimeve që shumica e tyre janë hapur vetëm paradite.

Më së shumti frekuentohet nëpërmjet këmbësorëve dhe biçikletave, më pak nga makina

Propozimi për këtë zonë fokusohet në pjesën e rrugës, shesheve dhe fasadave.

Rrugët dhe sheshet do trajtohen ne atë mënyrë që t’ju shërbej me së shumti këmbësorëve dhe biçikletave, ndërsa makinat do lejohen me orare të caktuara.

Zonat e ndërhyrjes do të jenë:

Sheshi i ‘Xhamisë së Parrucës’
Sheshi në mes të kryqëzimit të rrugës ‘Hamz Kazazi’ dhe rrugës ‘Lidhja e Prizrenit’
Sheshi i markatës së peshkut
Rruga përgjatë gjithë zonës së Lot A Fasadat do trajtohen në bazë të gjendjes së tyre ekzistuese dhe këto ndërhyrje do bëhen në kategori të ndryshme të cilat janë:
Kategoria I – Pastrim fasade ose bojatisje, zëvendësim i grilave të drurit, zëvendësim i vetrateve në katet zero, zëvendësim i parmakëve të objekteve, restaurim i rifiniturës së çatisë.
Kategoria II -Suvatim / veshje / bojatisje, restaurim i dekoracionit mural, ndryshim / zëvendësim i dritareve ose grilave, zëvendësim i vetratave në katet zero, restaurim i rifiniturës së çatisë.
Kategoria III – Trajtim fasade, ndryshim / zëvendësim i dritareve ose grilave, trajtim i verandave / ballkoneve, zëvendësim i vetratave në katet zero, restaurim i rifiniturës së çatisë.
Kategoria IV – Paketa e muraturës, paketa e shtresave, asemblim i çatisë, dritare/dyer/vetrata, trajtim i ballkoneve/verandave./Monitor