Kuvendi ka miratuar sot që projekt-ligji për studentët e Mjekësisë të diskutohet me procedurë të përshpejtuar.

 

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se përgjegjës për këtë projektligj do të jetë Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit.

 

Ky projektligj u votua me 64 vota pro duke vendosur që ky diskutim të kalojë me procedurë të përshpejtuar, ndërsa 24 deputetë votuan kundër.

 

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh gjatë diskutimeve se qeveria e kuptoi më në fund situatën dramatike të largimit të mjekëve nga Shqipëria.

 

Sipas saj, kjo çështje nuk zgjidhet me forcë dhe se projektligjit për studentët e mjekësisë nuk mund të shqyrtohet për 2 javë.

 

”Është e pamundur që parlamenti në 2 javë të diskutojë ligje shumë të rëndësishme. Komisioni i Shëndetësisë duhet të futet patjetër në diskutime në lidhje me këtë çështje. Është e pamundur të japim kontribut nëse sillet kështu parlamenti”, tha deputetja e PD-së.

 

Projektligji për trajtimin prioritar të studentëve të Mjekësisë dhe punësimin e tyre në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve miratua një ditë më parë në Këshillin e Ministrave.

 

“Të gjithë studentët që do të lidhin marrëveshje, siç parashikohet në këtë akt ligjor, me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Universitetin e Mjekësisë, të mundet që të kenë punësim prioritar në strukturat shëndetësore, si dhe të përfitojnë pas punësimit të tyre, nga politikat e strehimit social, pa i penguar të drejtën e specializimit në këto vite të qëndruarit të tyre dhe të të ushtruarit të profesionit të tyre. Sigurisht që detyra jonë është që të garantojmë kujdes shëndetësor për qytetarët shqiptarë, me personel të kualifikuar, në përgjigje të sfidës së mobilitetit të mjekëve dhe ndryshimeve demografike”,-deklaroi dje ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

 

Duke folur për një plan të gjerë të përgatitjes, mbajtjes dhe fuqizimit të burimeve njerëzore në shëndetësi, ministrja Manastirliu foli edhe për masat e tjera për t’ju përgjigjur sfidës së mobilitetit të mjekëve.

 

“Në vitin 2024, së bashku me Ministrinë e Arsimit, Fakultetin e Mjekësisë, do të rrisim numrin e kuotave në Mjekësi, duke e çuar në 500 numrin e kuotave të pranimit. Pra, jemi duke punuar në disa drejtime paralelisht, për të garantuar që të kemi mjekë, të cilët diplomohen edhe më shumë në vitet në vazhdim. Dhe nga ana tjetër, të kemi dhe trajtimet preferenciale sipas kësaj pakete, e cila sigurisht krijon disa instrumenta mbështetjeje për studentët, të cilët më pas, pas diplomimit të tyre dhe mundësisë për t’u punësuar, të kenë edhe trajtime  të tjera nga shteti, nëpërmjet këtyre politikave që ne po krijojmë”,- tha Manastirliu.

 

Sipas këtij projektligji, studentët që do të pranohen në vit të parë në Mjekësi, do të nënshkruajnë një marrëveshje per t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfunidmit të studimeve, duke ju garantuar punësimin dhe politika të tjera lehtësuese. Ndërsa, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundesi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërt, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura./ATSH