Drejtuesja e departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Lili Sula deklaroi sot se e mbështesin grevën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë lidhur me projektligjin e miratuar një ditë më parë nga qeveria.

 

Në një deklaratë për mediet, Sula tha se besojnë te fitorja e studentëve dhe kauzës së tyre, sepse ajo është e drejtë.

 

“Kostoja që pretendon qeveria për studentët e mjekësisë është jologjike dhe abuzive, sepse nuk mbështetet në fakte. Një student i Mjekësisë nuk i kushton shtetit mbi 5000 euro në vit, sepse buxheti që jep Qeveria për një student nuk është më shumë se 1000 euro në vit. Në këtë buxhet janë përfshirë pagat, shpenzime të tjera dhe investime”, deklaroi ajo.

 

Sula tha se me projektligjin e miratuar nga qeveria shkelet e drejtat e lëvizjes së lirë të individit dhe e ushtrimit të profesionit, që janë të garantuara në Kushtetutë.

 

“Ministrja e Arsimit, Kushi flet për mundësi që do t’u ofrohet studentëve, ndërkohë që VKM i kushtëzon studentët të nënshkruajnë kontrata punësimi, 5-vjeçare për ata që fillojnë studimet në vitin e parë këtë vit akademik; 3-vjeçare për ata në vit 2, 3, 4 dhe kontrata punësimi 2-vjeçare për studentët në vit të 5 e të 6 të vitit akademik 2023-2024. Ndryshimi i kritereve të studimeve të larta gjate kryerjes së tyre, shkel hapur të drejtat e studentëve dhe bie në kundërshtim të plotë me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Si mund të ndryshojnë rregullat e ndjekjes së universitetit në ndërkohë që një pjesë jo e vogël e studentëve punojnë ose kanë nënshkruar kontrata pune në dobi të interesave të tyre profesionale e ekonomikë?”, u shpreh ajo.