Rithemelimi i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar vendosi bashkimin me grupin Bardhi edhe në strukturat e partisë, pas bashkimit të tyre në lidhje me veprimet në Kuvend.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar që u zhvillua këtë pasdite, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Rithemelimit, Flamur Noka miratoi ndryshimet.

Me ndryshimet në statutin e PD-së që ka miratuar ditën e sotme Këshilli Kombëtar, Rithemelimit që aktualisht ka 2 nënkryetarë, do i shtohet dhe 2 të tjerë, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj.

Noka në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së Këshillit të PD-së tha se drafti i miratuar nga Kryesia e PD-së është votuar pothuajse në mënyrë unanime nga Këshilli Kombëtar me vetëm 6 vota kundër.

“Kryesia votoi në mënyrë unanime draftin dhe ja çoi për miratim Këshillit Kombëtar që kishte vetëm 6 vota kundër dhe e votoi pothuajse në mënyrë unanime këtë proces bashkimi aq shumë të pritur. Procesi ka shkuar konform statutit pikë për pikë. Sot, në Këshillin Kombëtar janë përfaqësuesit e demokratëve. Vota vendosi këtë bashkim”, tha Noka.

Këshilli Kombëtar nuk ka votuar drejtpërdrejtë për emrat, por ndryshimet e statutit që çojnë automatikisht në Kryesi grupin “Bardhi”.

Në kuadër të ndryshimeve statutore, nenet që preken janë ai 51, që përcaktohen se PD ka 2 nënkryetarë, një prej të cilëve është edhe kryetar i grupit parlamentar. Neni tjetër që ndryshon është edhe ai 47, për përbërjen e Kryesisë, ku në pikën 1 të saj, do të futen si anëtarë kryesie edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve.

Këto dy pika, do të çojnë grupin “Bardhi” pa patur nevojë për votim të fshehtë të Këshillit Kombëtar drejtpërdrejtë në Kryesinë e partisë. Pas riorganizimit të strukturave të partisë, deputetët do të nisin takimet me qytetarët dhe përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2025.

Me ndryshimet e reja, PD tanimë ka 4 nënkryetarë, Oerd Bylykbashin, Luçiano Boçin, Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkaj./ata