Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj e konsideroi sot të padrejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pushoi gjykimin e çështjes për heqjen e mandatit të ministres Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kërkuar nga Partia Demokratike.

 

Shehaj tha se “ky vendim është i padrejtë, shkon kundër interesit publik dhe është marrë nën presionin e Qeverisë”.

 

“Është e qartë si drita e diellit se Xhaçka në shkelje të Kushtetutës ka përdorur pushtetin për të pasuruar veten, bashkëshortin dhe kunatën. Shqiptarët shpresonin të shihnin se kishte mbaruar koha e shtyrjeve dhe shmangieve kur duhet të gjykohet fati i qeveritarëve.

Për çdo gjykatës, askush nuk duhet të jetë i paprekshëm, dhe vetëm atëherë në Shqipëri do të kthehet shpresa dhe besimi se asnjë nuk është mbi ligjin”, tha Shehaj.