Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJPAKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje".
Në një njoftim për mediat nga GJPAKKO thuhet se gjykata sot vendosi miratimin e vendimit të datës 28 dhjetor 2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të Shqipërisë (GJKKO), duke mos ndryshuar masën e sigurisë.
Pas vendimit të fundit, Beleri do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, ndërkohë në njoftimin e gjykatës nuk jepen detaje të tjera.
Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO-ja vendosi të mos ndryshojë masën arrest me burg ndaj Belerit, duke rrëzuar kërkesën e tij për "revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë".
Edhe në disa seanca të tjera, gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar kërkesat e Belerit për lirimin e tij, përfshirë edhe kërkesën për të t'u betuar si kryebashkiak.
Aktualisht çështja ndaj Belerit është në gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërkohë ai akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje".
Çështja ndaj Alfred Belerit
Më 12 maj të vitit të kaluar, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".
Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.
Sipas autoriteteve shqiptare, Beleri dyshohet për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.
Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe Greqi./aa