Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi sot përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për kryetar të bashkisë Rrogozhinë, për përsëritjen e zgjedhjeve, të datës 23 korrik 2023.
Fleta e votimit do të jetë e njëjtë me fletën e përdorur në zgjedhjet e datës 14 maj 2023, por do të ketë shënimin “Zgjedhje e përsëritur për Kryetarin e Bashkisë të datës 23 korrik 2023”.
Gjithashtu, u miratuan materialet zgjedhore dhe dokumentacionin e punës që do të përdoren në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë Rrogozhinë, të datës 23 korrik 2023.
Në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë Rrogozhinë do të përdoren materialet zgjedhore që plotësojnë karakteristikat e përcaktuara në vendimin nr. 223, datë 7.12.2022, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Mbi përdorimin në procesin zgjedhor të disa materialeve dhe përcaktimin e karakteristikave të përgjithshme të tyre në përdorim”. Për vendosjen e materialeve zgjedhore do të përdoren kutitë e votimit, kapaku i të cilave do të jetë i vulosur me kodin e pestë nga KQZ, dhe të identifikuara me shenja dalluese si kuti të materialeve zgjedhore.
KZAZ-të dhe KQV-të do të përdorin dokumentacionin e punës, të prodhuar për zgjedhjet e datës 14 maj 2023, me shënimin me ngjyrë të kuqe “Përsëritje e Zgjedhjeve për Kryetar Bashkie 23.7.2023”.