Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar sot me mjekë dhe infermierë tha se “kemi një zotim që e kemi mbajtur, do të rrisim me 7% pagën për mjekët dhe infermierët”.

 

Në fjalën e tij Rama tha “kjo do të bëhet menjëherë për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët që do të thotë që paga e mjekëve të përgjithshëm tani do të rritet me 59 mijë lekë dhe do të shkojë 111 672 lekë”.

 

“Paga do të shkojë tek 111 mijë lekë ashtu sikurse paga e infermierëve do të shkojë në 72 118 lekë. Por, ky është hapi i parë në harkun midis dy prillave tani dhe prillin tjetër do ta plotësojmë kuadrin. Mjekët për momentin nuk do të kërkojnë më shumë shpresoj, sepse specialistët në QSUT do ta kenë pagën 174 mijë lekë por mjekët e përgjithshëm do të shkojnë në 131 672 lekë dhe infermierët në 87 109 lekë”, theksoi Rama.

 

Kryeministri Rama u shpreh se “me këtë rritje shkojmë në nivelin e lartë të rajonit. Nuk na thotë më njeri, as të rinjtë që duan më shumë edhe pse për shkak të moshës kanë bërë  më pak, por kështu ka ardhur koha të rinjtë duan më shumë, të thonë janë më shumë këtu e atje. Nuk do jenë më shumë në rajon, ambicia jonë është që paga mesatare në Shqipëri të shkojë në 900 euro”.

 

Rama tha se “kemi aprovuar një plan shumë ambicioz të rritjes së pagave. Është rritja më e madhe historike e pagave, por është edhe rritja që ne kemi luftuar, jemi përpjekur, kemi gëlltitur shumë gjëra me durim, sepse kjo nuk është vetëm çështje dëshire, por edhe mundësish për të rritur pagat, duhet të rrisësh edhe mundësitë. Pagat rriten dhe kur ekonomia merr frymë dhe rritet”.

 

“Kjo rritje pagash është një pasqyrë direkte e një rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë, që ka përballuar edhe goditjet e forta që ju i dini, se goditjen më të fortë keni qenë ju që keni dhënë kontributin për ta përballuar në vijën e parë, pandeminë. Kemi bërë një rritje të pagës së mjekëve specialistë me 50 mijë lekë të reja në muaj, e cila bëhet efektive tani”, tha Rama.