Në drejtimin e zëvendëskryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj (Valikaj), u zhvillua mbledhja e Këshillit për Legjislacionin për shqyrtimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

 

Pas miratimit të provesverbalit të mbledhjes së datës 27.6.2023, mbledhja vijoi me shqyrtimin e raporteve të Këshillit për Legjislacionin.

 

Në nisje të mbledhjes, Felaj sqaroi se, Këshilli i Legjislacioni ka marrë në shqyrtim vendimet nr. 30/2022, 35/2022, 37/2022, 38/2022, 39/2022, si dhe vendimin nr.1/2023 dhe 2/2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe janë përgatitur raportet përkatëse.

 

Lidhur me vendimet nr. 30/2022, 35/2022, 37/2022, 38/2022, 39/2022 të Gjykatës Kushtetuese, Felaj sqaroi se, është përgatitur një raport, i cili do t’i përcillet Kryetares së Kuvendit, ku janë adresuar sugjerimet përkatëse lidhur me efektet e vendimeve.

 

Felaj saktësoi se, në raport rekomandohet që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.30/2022 dhe 37/2022 t’i përcillen Këshillit të Ministrave në cilësinë e nismëtarit, vendimi nr. 38/2022 ti përcillet Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, ndërsa në lidhje me vendimin nr.35/2022 është konstatuar se tashmë janë reflektuar në legjislacionin përkatës . Lidhur me vendimin nr. 39/2022 u konstatua se nuk ka efekte legjislative.

 

Pas diskutimeve, raporti u miratua me unanimitet nga anëtarët e pranishëm në mbledhjes.

 

Lidhur me vendimin nr.1/2023 dhe 2/2023 të Gjykatës Kushtetuese, ku shprehet për kërkesën e 1/10 të deputetëve për shqyrtimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes së Kuvendit, Olta Xhaçka, Felaj njoftoi se janë paraqitur dy qëndrime të ndryshme, një nga pakica dhe tjetra nga shumica parlamentare.

 

Relatorja e caktuar nga shumica parlamentare, Klotilda Bushka paraqiti konkluzionet e raportit.

 

Duke iu referuar jurispudencës të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, përcaktimeve në Kushtetutë për rolin e Kuvendit për kufizimet dhe papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, vlerësimit të ekspertit konsitucionalist të caktuar nga Kuvendi, argumentoi se kjo çështje mbetet për t’u trajtuar nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si struktura kompetente e parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit.

 

Në lidhje me legjitimimin e 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështjet që lidhen me papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve Bushka sugjeroi që çështja t’i dërgohet Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të drejtave të Njeriut, për trajtim sipas parashikimeve të Rregullores.

 

Deputeti Saimir Koreshi paraqiti qëndrimin e pakicës parlamentare për çështjen, duke argumentuar se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimet e Kuvendit dhe jo raportet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin e Kuvendit për mandatin e Xhaçkës, ndaj për këtë shkak Kuvendi t’i dërgojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese mocionin e 1/10 të deputetëve.

 

Pas diskutimeve, Këshilli për Legjislacionin vendosi që raporti me të dy qëndrimet t’i përcillet Kryetares së Kuvendit.