Banka e Shqipërisë nuk planifikon që të bëjë me detyrim që pagesat e transaksioneve dhe kontratave të jenë vetëm në lekë.

 

Burime nga Banka e Shqipërisë thanë se guvernatori Gent Sejko nuk ka lënë të kuptohet se një plan i tillë është një projektet e bankës. Për më tepër, që edhe nëse do të merrej një vendim i tillë, ai nuk i takon bankës qendrore, por Ministrisë së Financave, pasi banka nuk përcakton çmimet.

 

Guvernatori iu përgjigj ditën e djeshme interesit të deputetëve lidhur me ecurinë e kursit të këmbimit dhe përdorimit të gjerë të euros.

 

Lidhur me përshtatjen e euros si monedhë zyrtare, duke zëvendësuar lekun, Sejko tha se ekonomia nuk është gati akoma për te integruar euron. Nga ana tjetër një veprim i tillë nuk do të pranohej nga eurozona.

 

“Sa më shpejt të ecim me integrimin, aq më shpejt do të ecim me zbatimin e euros si monedhë kombëtare, por duhet të bëjmë rrugën tonë në procesin e integrimit europian”.

 

Guvernatori u shpreh kundër dhe fiksimit të kursit të monedhës, sipas modelit që ka Maqedonia e Veriut.

 

Ndonëse leku është monedha zyrtare e vendit, Shqipëria ka një nivel të lartë të euroizimit. Mallrat kryesore të qëndrueshme shiten në euro, kryesisht pasuritë e paluajtshme apo automjetet, por dhe çdo produkt tjetër. Rreth 57% e depozitave në banka janë gjithashtu në valutë.

 

Disa vjet më parë, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave nisën një strategji për të ulur nivelin e deuroizimit në vend.

 

“Kemi një marrëveshje me qeverinë dhe institucionet e tjera me Ministrinë e Financave dhe me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Financiare, për të ulur euroizimin. Ne jemi përpjekur ta reduktojmë, por jemi një treg i hapur, partnerët tanë janë në eurozonë”, tha Sejko në Kuvend.

 

Megjithatë të dhënat zyrtare tregojnë se shkalla e euroizimit të sektorit financiar u rrit më tej vitin e kaluar, si për depozitat e kreditë, ashtu dhe për sigurimet.

 

Në tregun e brendshëm euro ka humbur ndjeshëm pikë ndaj lekut përgjatë viteve të fundit, teksa nënçmimi është përshpejtuar ndjeshëm këtë vit. Ditën e sotme, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 104.36 lekë, ose 0.22 lekë më pak se një ditë më parë.

 

Ky është një tjetër rekord historik minimum, që nga koha kur euro filloi të përdorej si monedhë zyrtare në vitin 2002. Në krahasim me fillimin e vitit monedha vendase është forcuar me 10.2 lekë, ose 8.8%.

 

Rënia e euros ka ndikuar ndjeshëm negativisht aktivitetin e eksportuesve, ka reduktuar të ardhurat nga turizmi, ka zhvlerësuar prurjet e emigrantëve, apo dhe të ardhurat e atyre që paguhen në euro. Në kahun tjetër kjo situatë ka favorizuar pagesat e borxhit të jashtëm të Ministrisë së Financave, importuesit që blejnë më lirë, apo dhe ata që kanë pagesat e kësteve të kredisë.

 

Që prej fillimit të viteve 90, Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe ndërhyn në treg në funksion të plotësimit të rezervave valutore dhe të ruajtjes së objektivit të saj kryesor, që është stabiliteti i çmimeve.

 

Eksportuesit kanë kërkuar shpesh që Banka të ndërhyjë, por kjo e fundit ka pohuar se kemi një regjim të lirë të kursit dhe forcimi i lëkur ka ardhur si rrjedhojë e përmirësimit të parametrave ekonomikë./Monitor/