Drejtori i Përhjithshëm i  Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi deklaroi sot se, këtë vit do të vijojë puna në Korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin e 8, si dy akse shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare.

Duke folur në analizën vjetore të ministrisë Infrastrukturës dhe Energjisë, Berberi u shpreh se, “në politikat e qeverisë është thelbësore që korridoret kryesore të marrin frymë dhe të jetëzohen dhe dy nga korridoret kryesore që ne kemi janë Korridori Adriatiko-Jonian, që kalon nga veriu në jug Shqipërinë dhe Korridori i 8 ose ish-via Egnatia, që është një nga akset më të shkurtra që lidh perëndimin me lindjen. Pra nga porti i Durrësit në drejtim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Duke u fokusuar në këto dy korridore që janë jetësore për ekonominë shqiptare si dhe turizmin e saj ne kemi ndërmarrë nismat, që me faza ose me koncesion, të dyja këto korridore të shkojnë përpara. Në Korridorin e 8 ne kemi parashikuar që të vazhdojmë fazat e tjera të mbetura për Elbasan-Qafë Thanën, pra duke vazhduar me 2 segmentet e tjera, që është segmenti i 5-të dhe i 6-të, i cili lidh në mënyrë tërësore Elbasanin me Librazhdin duke shmangur të gjithë kthesat e Murrashit”, tha Berberi .

Ai theksoi se, do të vijohet me hapjen e garës për baj-pasin e Elbasanit.

Gjithashtu shtoi ai, shumë e rëndësishme është hapja e garës për segmentin e Elbasan- Lekaj.

“Elbasan-Lekaj është pjesa e mbetur e Korridorit të 8 që lidhet me Korridorin Adriatiko-Jonian, pra ky segment do të jetë një aks tërësisht i ri që lidh Elbasanin, quhet Lekaj, por në vetvete e lidh me rrethrrotullimin e Rrogozhinës. Pra lidhet e gjithë pjesa lindore-jugore, me pjesën e cila merr fluksin e veriut në drejtim të jugut, por tërësisht i shërben së tepërmi porti të ri që do të ndërtohet në Porto Romano dhe pjesës të funksionimit turistik dhe ekonomik në drejtim të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe më tutje pastaj në drejtim të bullgarisë dhe Turqisë”, u shpreh Berberi.

Ai tha se, “akset kryesore të tjera që do të hapen janë Korridori Adriatiko-Jonian,me fazat e tjera të tij, që janë Kashar-Lekaj, Lekaj – Fier dhe pastaj Milot-Thuman, duke pasur parasysh që do të hapim dhe garën për Milot- Balldren në fillim të këtij viti”.

Berberi u shpreh se, do të ketë zgjerim të aksit  Tiranë-Durrës.

“Një gangrenë e madhe, e cila ka qenë për përdoruesit e rrugës në Shqipëri ka qenë Tiranë-Durrës, një aks i cili ka qenë ndërtuar përpara viteve 2000 me segmentet e para, ka arritur dhe tejkaluar kapacitetin maksimal të përdoruesve të trafikut. Pra ai aks ka qenë i parashikuar për 30 mijë mjete në ditë që të frekuentohej, ndërkohë që me matjet e fundit që kemi bërë piku maksimal gjatë sezonit ka arritur në 90 mijë mjete. Pra do të thotë që është e nevojshme dhe e domosdoshme që ai aks të zhvillojë zgjerimin e tij. Ne kemi parashikuar që brenda vitit 2024 të hapim fazën e parë dhe mundësisht dhe fazën e dytë të këtij zgjerimi, i cili shkon nga Tirana deri në Vorë. Faza e parë është Tiranë-Kthesa e Rinasit dhe faza e dytë është Kthesa e Rinasit deri në Vorë”, tha Berberi.

Berberi shtoi se, do të vijohet me fazat e tjera të aksit Berat-Ballaban si dhe do të ndërtohet  rruga e Ksamilit.

“Gjatë sezonit të shkuar veror ne vumë re që kishte një numër shumë të shtuar turistësh për shkak të bukurive që ofronte Ksamili dhe nxitjes shumë të madhe që iu bë frekuentimit të tij. Atëherë lindi e nevojshme që ky aks të kalonte në një zgjerim dhe të bëhet një baj-pasim i tij, në mënyrë që Ksamilin t’ia lëmë turistëve dhe kushdo të frekuentojë zonën e Butrintit të jetë i lirë të shkojë në drejtim të saj pa penguar gjithë ata turistë që duan të frekuentojnë Ksamilin”, theksoi Berberi./ata