Gjykata e Durrësit ka mbyllur gjykimin ndaj italianit Ferdinando Muollo për pastrim parash, duke e dënuar me burgim në mungesë dhe konfiskim pasurie.

 

 

Dënimin prej 6 vitesh burg të dhënë nga gjykata e Durrësit, Ferdinando Muollo do e vuajë në Itali, atje ku është dënuar për rolin si porositës dhe financues në vrasjen e ortakut të tij, Salvatore Ridosso. Një ditë më parë, pas 9 dënimesh të marra në shtetin e vet, ku më i rëndi është ai për vrasje, Muollo u dënua nga gjyqtari Paulin Ccera me 6 vjet heqje lirie në mungesë dhe konfiskim të pasurisë në Durrës.

 

Gjatë gjykimit u arrit të provohet se mbi 790 metra katrorë apartamente dhe garazhe, të blera në Durrës, janë produkt i parave të përfituara nga veprimtaria kriminale në shtetin fqinj, Itali. Këto para i investoi në pasuri të paluajtshme në Shqipëri, ku ato që janë blerë nga viti 2010 e në vazhdim dhe qënë regjistruar në Kadastrën e Durrësit, sipas akt ekspertimit ekonomik kapin vlerën e afro 218 mijë eurove. Në vendin tonë, Muollo ngriti dhe biznese në fushën e tregtimit të pajisjeve dhe laboratorëve dentarë.

 

 

Mbrojtja e tij gjatë të gjithë gjykimit ka refuzuar akuzën e ngritur ndaj tij për Pastrim Parash të siguruara nga veprimtaria kriminale dhe kërkoi nga gjykata pafajësi, duke pretenduar se pasuria e paluajtshme është blerë me para të siguruara në mënyrë të ligjshme nga klienti. Ndërkohë gjatë pretencës, prokuroria ashtu siç dhe njoftoi të enjten, kërkoi konfiskimin e pasurisë së sekuestruar të Muollos dhe dënimin e tij me 6 vite burg.

 

Gjatë gjykimit, rezultoi e provuar se Ferdinando Muollo e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej, ndaj në përfundim të tij gjykata vendosi dënimin e tij me burg dhe konfiskim të pasurisë që konsiston në 5 apartamente, 7 garazhe, një automjet dhe një llogari bankare. Të gjitha pagesat për blerjen e pasurive të paluajtshme janë bërë në dorë dhe jo përmes bankës, për të shmangur deklarimin e burimit të parave të investuara në prona nga i dënuari, i cili në Itali njihet si drejtues i një klani mafioz të organizatës kriminale Camorra.

 

Në vitin 2018, Muollo u shpall fajtor dhe u dënua me 12 vjet e 6 muaj burg për rolin në vrasjen e ortakut të tij Ridosso në Napoli. Hetimet në Shqipëri nisën pas letërporosisë së autoriteteve italiane për të hetuar veprimtarinë ekonomiko-financiare të Muollos në vendin tonë, në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohej ndaj tij në Itali.