Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “nuk do të pranohet më që operatorët turistikë të bëjnë deklarime nën pagën reale”.
Në një takim në Durrës për skemën e pensioneve, Rama tha se, “sot problemi i turizmit nuk është sa ta paguaj, por ku ta gjej punonjësin. Ata e kanë problemin për krah të kualifikuar pune, sepse i është rritur shumë puna. Janë rritur shumë kërkesat dhe iu duhen më shumë punonjës”.
“Nuk ekziston sot një pastruese në një hotel me një pagë të ulët, pasi e merr pagën shumë herë më lartë se paga minimale. Nuk diskutojmë pastaj pjesën tjetër të kamerierëve me 800, 900, 1100 euro që deklarohen sikur marrin pagë minimale, pikërisht për të mos paguar taksat dhe sigurimet shoqërore reale”, u shpreh Rama.
Rama deklaroi se, nuk kemi për ti pranuar më këto raste.
“Do t’ua kthejmë dhe u kemi thënë që në deklarimin e ri të pagave duhet të jeni sa më të vërtetë dhe plotësisht të vërtetë me shtetin, sepse do t’jua kthejmë dhe në rast se do t’jua kthejmë për rishikim dhe nuk do t’i reflektoni, do të përfundoni në ndjekje penale. Nuk kemi rrugë tjetër”, tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje se ky është një problem edhe në industrinë e ndërtimit.
“Si mund të pranojmë ne se industria e ndërtimit ka paga minimale? Nuk ka paga minimale! Edhe kjo industri ka problem forcën e punës dhe jo sa paguan. Kanë paga konkurruese me rajonin. Në turizëm janë pagat si në Greqi sot. Si mundet të pranojmë ne të deklarojnë si dikur dhe kjo sepse duan t’u shmangen taksave dhe mbi të gjitha duke filluar te sigurimet shoqërore.
Ne do ta shtrëngojmë shumë këtë litar, sepse është e pamundur t’ju dalim për zot, sepse është edhe biznesi që duhet të jetë front solidar për këtë skemë”, u shpreh Rama./ata