“Një punë që e dashuroj vërtet”, kështu shprehet botuesja e njohur Arlinda Dudaj në episodin e shtatë të podcastit “Flasim” të titulluar “Gruaja e ngarkuar me libra” me kryeministrin Edi Rama.

 

“Një shoqe të hershme me të cilën jeta na ka ndarë për një kohë të gjatë dhe që e ka bërë të ankohet shumë që nuk ka mundësi të takohemi, të flasim e të tjera, e të tjera, por e cila vjen vijimësisht tek unë përmes librave që boton dhe mendova se ishte një mundësi e mirë edhe për ta takuar pas kaq shumë kohësh edhe për të folur pikërisht për librin që është një nga të stërmunduarit e mëdhenj të kësaj epoke, për gjithë botën, por edhe në Shqipëri, ndërkohë që Arlinda Dudaj, ‘’Arlo’’ vazhdon luftën e saj”, theksoi kryeministri Rama në nisje të podcastit.

 

Këtu, vijoi Rama, s’jemi vetëm për aspektin e botuesit, por jemi më shumë sesa për kaq dhe pyetja ime e parë dhe e mira e këtij podkasti është që mund të të bëj disa pyetje që s’ti kam bërë ndonjëherë se nuk ka ardhur biseda ose s’është krijuar konteksti.

 

Pyetjes si e ke vendosur ti që ti ushtrosh jetën librit, Duda iu përgjigj se “tashmë shtëpia botuese vajti 23 vjeçare, është goxha e madhe në moshë, të paktën për kushtet tona. E kam nisur në 2001.

 

“Isha 22 vjeç, por ndërkohë, në momentin qe e nisa, e kam nisur si lojë. Ka qenë komplet, komplet një lojë, por këtu nuk dua të them që unë s’kisha lidhje me librin. Me librin kisha shumë lidhje sepse e kam nisur shumë herët leximin, madje do të thoja që edhe sapo kisha nisur të lexoja dhe kam një histori që e kam si lëkurë, e kam si mëlçi, si një pjesë të rëndësishme të jetës sime, si një zemër, si një çfarëdolloj qoftë organi të rëndësishëm edhe nuk e di pse, ndoshta kjo është diçka që mbase s’ka lidhje se ma ka injektuar dikush apo se kam lindur me këtë, pavarësisht se më vonë kam punuar. Kam pasur një gjysh në fakt i cili nuk jeton më edhe që më bënte të bëja dhe kështu, mbasi lexoja librat, të bëja ato që sot quhen ‘revieë’. Të shkruaja, të shkruaj çfarë kisha lexuar. Kjo ka qenë domethënë “detyra” që unë e bëja shpesh, ndonjëherë edhe e detyruar, por gjithsesi, gjithmonë ka qenë kënaqësi e madhe. Edhe ai mbante shënimet e veta dhe shpesh herë i ballafaqonim. Se po më vjen fjala ‘konfrontoj’ por nuk dua të përdor fjalë të huaj dhe ndërkohë si e nisa unë ishte vërtet si një lojë”, tregon Dudaj.

 

Isha në universitet, vijon ajo dhe bëmë një projekt të fundit para se diplomoheshim, kam mbaruar përkthim-interpretim në gjermanisht, dhe ne bëmë, secili nga ne përkthehu nga një tregim dhe profesori i atëhershëm na tha që ta bënim një libër.

 

“U përfshiva në këtë proces, sepse të qenurit botues nuk ka qenë profesion. Edhe sot, nuk ka një shkollë, përveç se jashtë po them, po në Shqipëri nuk është se ka një shkollë apo një vend ku ti të mësosh profesionin e botuesit. Se botues, nuk do me thënë përkthyes, nuk do me thënë redaktor. Botues është diçka shumë e madhe që unë e kam mësuar në mënyrë krejt nga vetja. Nuk kam bërë shkollë për të qenë botues, por mesa duket gjërat doemos lidhen me njëra-tjetrën”, tha Dudaj.