Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në bashkëpunim me Krimin Ekonomik Korçë, kanë ushtruar kontroll dhe kanë ndaluar mbrëmjen e djeshme një individ, i cili transportonte me automjet tip kamionçinë, mish lope pa vulë dhe pa çertifikatë veterinare.

 

AKU, njofton se, automjeti me të cilin transportohej mishi nuk plotësonte kushtet higjieno-sanitare për transportin e produkteve me origjinë shtazore. Personi përgjegjës nuk ishte i regjistruar në organet përkatëse për të kryer tregtimin dhe transportin me mjet frigoriferik të mishit.

 

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese e AKU-së, vendosi masë administrative “gjobë” në vlerën e 600’000 lekë dhe bllokim i mishit me destinacion asgjësimin.

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët, se po vijon pandërprerë kontrollet në terren në garantim të sigurisë ushqimore.