Në Fier po vazhdon pa ndërprerje puna për rehabilitimin dhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse në gjithë territorin e bashkisë.

 

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla ndau sot pamje nga punimet që po kryhen në fshatin Sop.

 

“Punimet vazhdojnë në kanalin kullues, i cili është 600 metra i gjatë dhe kullon rreth 60 ha tokë si dhe i vjen në ndihmë fermerëve të zonës për ujitjen e tokave të tyre bujqësore”, shkruan Balla.

 

Prej dekadash këto kanale, jo vetëm nuk kanë funksionuar, por për më tepër janë kthyer në problem madhor për të gjithë zonën.

 

Për këtë arsye hektarë të tërë tokash bujqësore kanë humbur bonitetin e tyre dhe janë kthyer në ineficiente, pikërisht për shkak të moskullimit të tyre dhe përmbytjeve masive e të vazhdueshme nga lumi Vjosë.

 

Sistemimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese në fshatrat e bashkisë së Fierit ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore, po të kemi parasysh se me ndarjen e re territoriale rreth 50 % e gjithë territorit të bashkisë Fier është zonë rurale, pothuajse tërësisht bujqësore dhe me tokë shumë pjellore./ATSH