Komisioni i Ligjeve shtyu miratimin e projektligjeve për spiunët në funksione të larta drejtuese dhe në administratë.
Pas debateve të forta në mbledhje, ku nuk munguan as replikat për Rrahman Rrahjen dhe Arben Ahmetajn, kryetarja e Komisionit tha palët duhet të ulen që tre variantet ti shkrijnë në një draft të vetëm.
“Mendoj të marrim kohë për të diskutuar ende. Duke parë që palët janë secili në polin e vet, kjo është një çështje që na bashkoi që në krye të herës. Mendoj se kemi marrë kohë të mjaftueshme. Shoh që edhe në kampin opozitar ka dy variante. Ne 3 ligje për të njëjtën gjë nuk bëjmë dot. Ne duam të bëjmë një ligj sipas standardeve. Qëllimi është që të pastrojmë jo vetëm politikën, por edhe administratën shtetërore. Secili ka një qëndrim për këto tre nisma. Do të duhet të ulemi edhe një herë, nismëtarët dhe relatorja. Është moment i rëndësishëm dhe është momenti për ta bërë mirë këtë gjë”, tha kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka.
Ndërsa Enkelejd Alibeaj deklaroi se “thirrjet tuaja për konsensus që çojnë në shtyrje dhe zvarritje të iniciativës sonë janë të papranueshme. Që ky të jetë një episod që takohemi çdo gjashtë muaj, kjo nuk është serioze”.