Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e 30 deputetëve të opozitës, ku kërkohej vlerësimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i marrëveshjes së nënshkruar nga Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘X’, Bardhi shkruan se, me këtë vendim Gjykata Kushtetuese humbi mundësinë të bënte drejtësi për këtë çështje.
“Asnjë surprizë nga “Vali Bizhgat në Gjykatën Kushtetuese”! Mohimi i transparencës dhe mbi të gjitha shmangia e mundësisë për një opinion këshillimor nga GJEDNJ janë tregues i qartë që GjK humbi që në nisje mundësinë për të bërë drejtësi në këtë çështje”, shkroi Bardhi.
“Marrëveshja me Italinë cenon sigurinë e interesin publik, si dhe shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njëriut dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë, siç Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE dhe organizatat prestigjoze ndërkombëtare janë shprehur!”- theksoi Bardhi.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot se, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët është në përputhje me Kushtetutën.
Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.
Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër./ata