Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës dhe ai Politeknik i Barit, Itali nënshkruan protokollin ekzekutiv për programin e dyfishtë Bachelor në “Inxhinieri Mekanike”.

 

Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij protokolli ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

 

Në fjalën e saj, ministrja Kushi tha se “ky program i dyfishtë studimi është mundësi e shkëlqyer për të gjithë studentët e dy universiteteve sepse është një program studimi me kurrikul moderne dhe një program që do të angazhojë pedagogët ndër më të mirët që universitetet kanë, pedagogë me përvojë, të përkushtuar, profesonistë dhe që janë shumë të pasionuar pas kësaj fushe”, tha Kushi.

 

Ministrja Kushi u shpreh se “besoj se ky program është një mundësi për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy universiteteve, bashkëpunim që duhet të reflektohet jo vetëm në një program të dyfishtë, por edhe në konferenca të përbashkëta, në projekte kërkimore shkencore, shkëmbim pedagogësh e studentësh, në të gjitha aspektet e jetës universitare”.

 

Sipas Kushit, të dyja universitetet i kanë mundësitë për ta bërë këtë.

 

“Ky program studimi do të jetë një mundësi për të forcuar bashkëpunimin mes dy qyteteve tona, Vlorës dhe Barit, por edhe më tej mes dy vendeve tona. E themi shpesh që deti nuk na ndan, deti na bashkon. Bari dhe Vlora kanë shumë gjëra të përbashkëta edhe për sa i takon kulturës, qytete turistike të bukura, mentalitetit të njerëzve dhe universitetet duhet të jenë një arsye më shumë pse bashkëpunimi mes dy qyteteve e vendeve tona duhet të jetë edhe më i fortë”, Kushi.

 

Ministrja Kushi vuri në dukje se “janë pikërisht universitetet që mund të ndërtojnë ura bashkëpunimi që katalizator të kenë universitetet dhe më pas të shtrihen në të gjitha fushat në ekonomi, kulturë, industri, biznes e fusha të tjera”.

 

Duke përgëzuar Universitetin e Vlorës për arritjet në vite dhe veçanërisht ato të kohëve të fundit , ministrja Kushi theksoi se “ky është një ndër universitetet avangardë që ka përparuar shumë në ndërkombëtarizimin e tij.Por duhet të ngrihet edhe në nivele më të larta. Jam shumë krenare për Universitetin e Vlorës që vetëm pak ditë më parë ka marrë nga Komisioni Europian vlerësimin “Erasmus Charter for Higher Education”. Është vërtet një arritje që Universiteti i Vlorës është i pari ndër të gjithë universitetet këtu në Shqipëri publike e jo publike që merr këtë certifikatë akreditimi”.