Inflacioni është ulur lehtë në qershor, pas rritjes që shënoi në maj. INSTAT njoftoi se ndryshimi i Çmimeve të Konsumit në qershor ishte 4.5% në qershor, nga 4.7% në maj dhe 4.6% në prill.

 

Pavarësisht rënies së lehtë në qershor, tendenca e tkurrjes së çmimeve është shumë më e ngadaltë sesa në eurozonë. Më herët Eurostat bëri të ditur se inflacioni në 20 vendet e Eurozonës, ra në 5.5% këtë muaj, nga 6.1% në maj. 

 

Ulja e energjisë ka “qetësuar” inflacionin në Eurozonë, ndërsa në Shqipëri po reduktohet më ngadalë për shkak të efektit të produkteve ushqimore, të cilat përveçse janë të shtrenjta zënë dhe një peshë shumë më të lartë në buxhetin e ushqimeve, në 42%, nga 13% që është mesatarja europiane.

 

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,63 pikë përqindje.

 

Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në 3%. Norma bazë është instrumenti kryesor që përdor banka për të luftuar presionet inflacioniste.

 

Guvernatori i Bankës, gent Sejko tha se inflacioni ka ardhur në rënie, duke pasqyruar më së shumti rënien e inflacionit të importuar dhe nënçmimin e euros.

 

Por, ai shtoi se nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta, në pasqyrim të kërkesës së lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës.

 

Inflacioni

 

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2023, arriti 114,0 kundrejt muajit Dhjetor 2020.

 

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2023 është 4,5%, një vit më parë ky ndryshim ishte 7,4%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2023, krahasuar me Maj 2023 është -0,3%.

 

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.

 

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,63 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,45 pikë përqindje.

 

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,40 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,24 pikë përqindje.

 

Çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,22 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,18 pikë përqindje.

 

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -1,13 pikë përqindje.

 

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 10,3% secili, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,8%, “Veshje dhe këpucë” me 4,4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7%, “Shërbimi arsimor” me 2,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1%, “Komunikimi” me 1,4% dhe “Shëndeti” me 1,2%.

 

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 16,2%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 26,1%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 14,4%, “mish” me 10,9%, “fruta” me 9,6%, “peshk” me 9,0%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,3%, “bukë dhe drithëra” me 4,0%, etj.

 

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,2% pasuar nga çmimet e grupit “Transporti” me 0,3%.

 

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,8%, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3% secili dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2%./Monitor