Stoku i depozitave që individët, bizneset, institucionet shtetërore dhe organizatat e tjera kanë në banka shënoi një tjetër rënie në mars për të dytin muaj radhazi.

 

 

Kursimet që ndodhën në sistemin bankar zbritën në 1.27 trilionë lekë (rreth 11 miliardë euro) në fund të muajit mars 2023, me një tkurrje prej 0.9%, ose 11.3 miliardë lekë në raport me muajin e mëparshëm.

 

Si depozitat në monedhën vendase ashtu dhe ato në valutë kishin tendencë rënëse.

 

Kursimet në lekë ishin 549 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.22% në krahasim me shkurtin. Rritja e interesave duket se nuk po nxit kursimet në monedhën vendase në banka, teksa konsumatorët nga njëra anë po kursejnë më pak për shkak të rritjes së çmimeve dhe nga ana tjetër po gjejnë si alternativë më interesante investimet në bonot e thesarit, që japin kthime më të larta.

 

Kursimet e individëve (pa afat) ishin ato që shënuan rënien më të fortë nga depozitat në lekë.

 

 

Banka e Shqipërisë ka rritur disa herë normat bazë të interesit gjatë vitit të fundit, duke e çuar aktualisht në 3%, nga 0.5% që ishte në mars të një viti më parë, para se të fillonte rritja e fortë e çmimeve.

 

Kjo lëvizje është ndjekur dhe nga bankat, që ofrojnë interesa më të larta për depozituesit, por që sërish nuk kanë arritur të sjellin ndonjë rritje të kursimeve në banka.

 

Më e thellë ishte tkurrja e depozitave në valutë, por që më së shumti reflekton dhe efektin e zhvlerësimit të euros, teksa të dhënat nga Banka e Shqipërisë raportohen në lekë. Në mars të këtij viti euro ka zbritur në 114 lekë, nga rreth 122 lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Depozitat në valutë zbritën në 719 miliardë lekë, me rënie 10 miliardë lekë nga muaji i mëparshëm, duke ndikuar në gati 90% të reduktimit total të kursimeve të raportuara nga Banka e Shqipërisë.

 

 

Valuta vijon të mbetet monedha e preferuar për kursimtarët. Në fund të muajit mars, kursimet në monedhë të huaj (kryesisht euro) përbënin 56.7% të totalit. Monitor