Nafta për bujqësinë dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e subvencionit të naftës do të vijojë me të njëjtat kritere, por me një ndryshim thelbësor këtë vit, që nuk do të mundësohet me naftë dhënë me bidona apo nëpërmjet kartës, por lekë në llogari.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, bëri të ditur sot se ky vendim u mor duke u mbështetur në kërkesën e fermerëve.
“Kjo ishte një kërkesë e fermerëve dhe ne gjithmonë marrim parasysh kërkesat e fermerëve për shkak të problematikave që ka pasur shpërndarja nëpërmjet kartave dhe marrja e naftës me bidona dhe në kohën më të ndjeshme të fundit të vitit. Kërkesa e fermerëve tanimë është plotësuar dhe sasia e naftës s’do ndryshojë, kriteret nuk do ndryshojnë, vetëm fermerëve do iu shkojë ajo sasi nafte e konvertuar në lekë. Kjo nuk është sepse fermerët abuzojnë, por kjo është një ndihmë për ta sepse fermerët përsëri naftën me lekë do ta blejë, por mund të kenë edhe mundësi tjetër që në momentin që mund të marrin ndonjë lekë borxh, prandaj mund të ua bëjnë traktoristët punën, pasi lekët i kanë të garantuara që do më japë shteti. Nuk mund të ketë abuzime se lekët do kalojnë në numrin e llogarisë së fermerëve”, tha ai, në një intervistë në media.
Ai mohoi që skema e subvencionimit të bagëtive mbi bazën e numrit të krerëve dhe jo për litër qumështi nuk ka qenë e suksesshme.
“Numri i krerëve është rritur sidomos në fermat mbi 100 krerë apo 10 krerë lopë, është rritur numri i fermave që mbarështojnë blegtori intensive dhe ne kemi shembuj shumë pozitiv, ky është një shembull shumë pozitiv, është rritur numri i blegtorisë që ka hyrë nga jashtë dhe ky është tregues nga viti në vit që numri i gjedhëve e të imtave që importohen nga vendet e tjera me cilësi të përmirësuar është rritur”, theksoi ai.
Sipas tij, skema për litër u aplikua vite më parë dhe nuk dha rezultatet e pritshme.
Por, fermerët nuk ishin dakord me këtë lloj skeme, pasi kërkon subvencionim për litër dhe jo krerë. Pse kjo zgjedhje?
“Skema për litër ka funksionuar dhe vitet e mëparshme, para katër-pesë viteve, dhe nuk ka qenë rezultative. Kanë qenë kërkesat e fermerëve që e kthyen për çdo krerë. Por kemi marrë përgëzime edhe nga KE”, tha ai duke nënvizuar se skema është konform udhëzimeve të BE.
Këshilli i Ministrave miratoi sot Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2024, me 8 masa mbështetëse për më shumë përfitim financiar për fermerët aplikues./ata