Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka prezantuar ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve projektligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor.

 

Deputeti i opozitës, Saimir Korreshi ka reaguar mbi projektligjin duke thënë me ironi se nuk duhej të ishte hartuar pa marrë mendimin e çunave të Londrës, të cilët të jepnin eksperiencën e tyre për kultivimin e kanabisit.

 

Po ashtu duke u nisur nga legalizimi i kanabisit mjekësor, ai shton sërish me ironi duke theksuar se nuk është e nevojshme që këta individ të qëndrojnë në emigrim.

 

“E mira është ti marrim se bëjnë rolin e agronomit, pse i lëmë në emigrim vijnë këtu. Lazarati është një shkallë më lart, ka nis tek ABZHR tani. Grupet e interesit, çunat që rrinë në Londër që punojnë shpi bari gjynah të vijnë me eksperiencë, farën e kanë, të zgjedhin llojin e farës, të japin mendim për mënyrën si jepet rendimenti. A po flasim për hashashin tani”, tha Korreshi.

 

Ndërkohë ministrja i është kundërvënë duke i thënë se po konfuzon publikun, pasi është thjesht një kuadër ligjor që ka të bëjë me kultivimin e kontrolluar të kanabisit nga shteti për qëllime industriale edhe mjekësore.

 

Ndër të tjera ajo thotë se çdo gjë që do të jetë në shkelje të këtij kuadri ligjor do të mbetet e paligjshme.

 

“Po flasim për krijimin e një kuadri ligjor që ka të bëjë me kultivimin e kontrolluar nga shteti për qëllime industriale edhe mjekësore. Çfarë është në shkelje të këtij kuadri ligjor mbetet e paligjshme dhe nuk po legalizohet paligjshmëria, por ngrihet një kuadër i ri ligjor për hapjen e një sektori në ekonomi, që i përket kontrollit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. I ka të përcaktuara të gjitha dispozita. Çdo gjë tjetër që thuhet për të konfuzionuar publikun është e pavërtetë”, tha Manastriliu.