Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Luksemburg zhvilloi edhe një bashkëbisedim me anëtarë të komunitetit shqiptar në Dukatin e Madh.

Rama u shpreh se ata janë bashkëkombas të integruar më së miri në vite në administratë, banka, kompani të mëdha të Dukatit të Madh, me plot pasion për Shqipërinë e dëshirë për të kontribuar për vendin.

Rama vlerësoi pjesëmarrjen e tyre në takim. “Është e sigurtë që ju i përkisni një pjese shumë cilësore të bashkësisë shqiptare në emigracion dhe pa diskutim, duke pasur parasysh edhe sferat e veprimtarisë ekonomike të këtij vendi, jeni patjetër asete për këtë vend dhe s’ka sesi të mos jeni një aset i çmuar për vetë Shqipërinë”, theksoi Rama.

Duke i kthyer përgjigje interesimit për të zhvilluar takime në Shqipëri për ndërtimin e një piste për zhvillimin e kampionatit botëror të motokrosit, pas asaj të Formula 1, Rama u shpreh se, “për motokrosin Shqipëria është një vend shumë i mirë, sepse të bësh motokros në Holandë, është e pamundur, duke qenë një vend i sheshtë. Atëherë e bëjmë këtë dhe shohim se si ecën”.

Për çështjen e linjës ajrore të drejtpërdrejtë mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, Rama u shpreh se, “se folëm dhe me kryeministrin dhe ia ngrita çështjen e Lux Air, sepse realisht besoj që ia vlen”.

“Ai premtoi që do ta shohë. Ai kishte qenë vetë turist në Shqipëri në 2018-ën, më tregoi dhe fotografi dhe ishte vetë tifoz i Shqipërisë nga pikëpamja turistike”, vijoi Rama.

Sa i përket votës së emigrantëve, Rama tha se, “nuk është çështje dëshire apo vullneti nga ana jonë se ne duam, por është një çështje e bazës së të dhënave”.

“Ne nuk kemi akoma sot një regjistër të popullsisë në emigracion. Edhe pse kemi bërë disa tentativa nuk kemi arritur sepse siç jemi ne shqiptarët që kur vjen puna për t’i bërë gjërat, edhe për të bërë pasaportën tonë dhe kartën ID shkojmë e bëjmë atë ditë momentin kur na duhet se duam të bëjmë diçka. Kjo çështja e databazës na pengon shumë për ta bërë procesin e votimit të emigrantëve”, tha Kryeministri.

Sa i përket turizmit, Rama tha se, “ne jemi në një tjetër pozicion në marrëdhënie perceptimi të të tjerëve dhe pashë shifrat e turistëve në janar dhe është një rritje shumë domethënëse nga janari i kaluar, që ka qenë muaji janar më i miri që kemi pasur ne ndonjëherë dhe është 30%+, është gati gjysmë milioni turistë në janar, që është një shenjë shumë kuptimplotë”.

“Nëse vitin e shkuar ne e arritëm dhe e kaluam 10 milionëshin, këtë vit do të kemi shumë më tepër turistë. Nëse Luxair do ta vendosë linjën, që mund të mos jetë përditë dhe nëse do ta vendosë duke filluar nga muaji prill, pa diskutim që do të ketë ekonomikisht përfitim. Nuk do të jetë një eksperiment i dështuar, jam i sigurtë”, tha Rama.

Për energjinë e rinovueshme, Rama u shpreh se, “kemi një plan të plotë dhe jemi duke investuar në mënyrë të konsiderueshme përmes projekteve që vijnë nga kompani të ndryshme”.

“Patjetër që do të ishte me shumë interes që të kishim në dispozicion instrumente financiare më shumë sesa këto instrumentet klasikë klasikë tradicionalë. BEI është e përfshirë edhe BERZH është e përfshirë, por për të bërë më konkrete, nuk është aspak problem që ne t’ju vëmë në dispozicion gjithë listën e projekteve, plus edhe atë listë aplikimesh që janë në proces që mund të kenë nevojë për mbështetje financiare, pastaj të shohim sesi zhvillohet kjo gjë konkretisht. Por faktikisht, ne kemi objektivin që brenda 2029 të jemi eksportues neto të energjisë dhe të mos kemi nevojë të importojmë energji. Dhe sipas atij plani po ecim dhe energjinë e diellit dhe me energjinë e erës, kemi filluar të kemi disa projekte. Unë besoj që do ta arrijmë këtë”, tha Rama.

I pyetur se si do të jetë Shqipëria 10 vitet e ardhshme, Rama u shpreh se “gjëja që mund të imagjinojmë për Shqipërinë, që Shqipëria të jetë një vend ku falë këtyre mundësive që ka, turizmi, energjinë, mundësisht nëse arrin të bëjë si duhet në inovacion, të jetë një vend që të krijojë kushte për të pasur një jetë të mirë mesdhetare dhe besoj se Shqipëria do të jetë një vend që do të jetë pa diskutim i pari në gjithë rajonin për ekonomi, për jetesë të qetë, për jetesë pa shumë ngarkesa, por me mundësi”./ata