Një ditë pas padisë në polici dhe akuzave të banoreve për thyerje të banesave dhe kërcënime, Gjon Shkambi, personi që pretendon se është pronari i ish-shkollës së rezervave në Shkodër, ka reaguar për mediat.
Ai thotë se është pronari i godinave ku jetojnë 31 familjet dhe pronat i ka me dokumentacion të rregullt dhe i ka fituar përmes proceseve gjyqësore.
Ai kërkon nga policia dhe përmbarimi, lirimin e pronave të tij.
Në vitin 2020, zyrën private të përmbarimit e kthyen mbrapsht me pretendimin se personi që pretendon se është pronari i tokës, ka dokumentet false dhe që atëherë çështja e 31 familjeve në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër, po zvarritet neper dyert e institucioneve.
Por mbrëmjen e së hënës, banorët protestuan përpara komisariatit të policisë, pasi pretendojnë se personi në fjalë po dhunon banesat e tyre.
Banorët kanë arritur të filmojnë Gjon Shkamin, personin qe thotë se është pronari i godinës, teksa futet në shtëpitë e tyre pa leje.
Në vitin 1992, këto 31 familje, me vendim të bashkisë Shkodër janë vendosur në godinën e ish-shkollës së rezervave të ndërtimit. Banorët thonë se prona është akoma shtetërore dhe dokumentet janë falsifikuar.