Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e administratorit të plazhit në Vilë-Bashtovë ku u mbytën babai 50-vjeçar dhe dy djemtë të tij të mitur.

 

Pëllumb Nikës iu caktua nga gjykata masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

 

Sipas mbrojtjes, Nika ka bërë një akt heroik duke rrezikuar jetën, kur nuk futej askush për ndihmë në një det me dallgë.

 

Përpara togave të zeza, i arrestuari ia ka hedhur fajin bashkisë teksa ka thënë:

 

“Bovat nuk i vendosim ne, por e cakton bashkia Rrogozhinë hapësirën ujore që i përket çdo plazhi dhe thellësinë ku do të vendosen.

 

Unë rrezikova jetën time dhe e kisha një flamur të kuq, por edhe 10 vrojtues të ishin nuk do bënin dot gjë.

 

Nga ana njerëzore, kur pashë që nuk po futej njeri, ma dha Zoti dhe u futa me kajak, por u fundosa.

 

Zonën ku vdiq i ndjeri dhe fëmijët e ka nën administrim bashkia. S’do të doja kurrë të ndodhte një gjë e tillë”, tha ai.

 

Po ashtu, mbrojtja tha se klienti i saj është i trajnuar si punonjës sigurie dhe fatkeqësia nuk ka ndodhur në hapësirën detare përballë plazhit të tij.

 

Prandaj kërkoi vleftësimin e paligjshëm të arrestit në plazh dhe caktimin e masës “detyrim paraqitjeje”.

 

Ndërsa prokuroria kërkoi vlerësimin e ligjshëm dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.

 

Në përfundim të seancës, trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë personale “Arrest në shtëpie”.