Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro zhvilloi disa takime pune gjatë pjesëmarrjes në panairin Fitur në Madrid, ku stenda e Shqipërisë mori vëmendje.

Kumbaro përcolli në rrjetet sociale momente nga takimet me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës Jordi Hereu edhe me Sekretaren e Shtetit për Turizmin, Rosana Morillo, teksa u ndal në prezatimin e ofertës turistike shqiptare.

“Mes sinergjisë së mirë të takimeve të njëpasnjëshme në Madrid, kënaqësi takimi me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës Jordi Hereu edhe me Sekretaren e Shtetit për Turizmit, mikeshën Rosana Morillo për ofertën fantastike të turizmit shqiptar që “joshi” 87 mijë vizitorë spanjollë vitin që lamë pas si dhe mundësi bashkëpunimi me fokus shkëmbimet në turizëm si ura më e mirë lidhëse mes vendeve tona”, tha Kumbaro.

“Shumë shpejt do të takohemi përsëri, në mbledhjen e Komisionit të 70-të për Europën të UNWTO ku të zotët e shtëpisë kësaj here do të jemi ne”, u shpreh ministrja./ata