Prokuroria e Prishtinës ka nisur hetimet në lidhje me incidentet e dhunshme që u regjistruan një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, ku u përfshinë deputetë të opozitës dhe mazhorancës.

 

Sipas njoftimit të bërë publik, prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale të “sulmit”, ndërkohë që disa nga deputetët më aktivë në aktet e dhunës janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre.

 

Gjatë seancës së të enjtes, ndërsa kryeministri Albin Kurti, po mbante fjalën, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, hodhi ujë në drejtim të tij, e pastaj në drejtim të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimit.

 

Në këtë moment, situata u tensionua më shumë, kur ministri i Financave, Murati u kap me duar me Lushtakun. Në të njëjtën kohë, deputeti Hajdar Beqa, goditi ministrin Murati në fytyrë.

 

 

Për shkak të incidenteve, kryetari i Kuvendit, Konjufca kërkoi që policia e Kosovës të hyjë në sallë. Disa efektivë qëndruan brenda saj deri në momentin kur Albin Kurti u largua.

 

Opozita ka qenë kritikuese ndaj mazhorancës pasi mediat kanë publikuar disa përgjime të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

 

Milan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.