Kryeministri Edi Rama ka ftuar në episodin e 15-të të radhës në Podcast, ”FLASIM”, Gentian Toshkëzi, i cili quhet ’america’s best doctor’’, doktori më i mirë i Amerikës, një çmim prestigjioz që jepet në mënyrë të përvitshme nga një organizatë shumë prestigjioze.

 

“Të falënderoj për kohën dhe mundësinë që të të kem këtu. Një rrugë e çarë me shpatën e artë në dorë, medalje ari këtu, medalje ari atje derisa arrite të vlerësohesh me këtë titull kaq prestigjioz dhe të lësh pas ti, myzeqari, gjithë amerikanët e mundshëm dhe patjetër edhe të tjerë, se amerikanë janë ata që vijnë nga një origjinë prindërore amerikane, por edhe shumë të tjerë që vijnë nga origjina prindërore të ndryshme, kështu që ti je myzeqari-amerikan që je këtu sot me ne dhe deri në fund të shkollës së mesme ke qenë në Lushnjë”, tha Rama.

 

Dr.Toshkëzi u shpreh se “është kënaqësi të jem sot me ju dhe mirë se ju gjeta. Po, deri në shkollën e mesme. Unë kam lindur në Lushnje. Deri në shkollën e mesme kam mbaruar studimet, i kam kryer në gjimnazin e Lushnjës”.

 

Teksa tregon për fëmijërinë, familjen, studimet e tij të larta, Dr.Toshkëzi thekson se “në vitin 2000 kam mbaruar shkollën në mjekësi me të gjitha 10-a. Pastaj, atë vit doli një urdhër nga ministria që ne duhet të fillonim të punonim si mjekë të përgjithshëm për një vit, përpara se të fillonim specializimin. Jam rikthyer në Lushnje, kam punuar në Savër. Në një nga fshatrat e Lushnjës, që është afër. Ishte një eksperiencë e bukur, ndryshe për mua. Filloja si mjek i ri dhe përballesha me mjekësinë e përgjithshme, me pacientët. Pas një viti, konkurrova dhe u futa në specializim në neurokirurgji. Më ka ndihmuar mjaft, sepse isha medalja e artë dhe ato pikët e sistemit të konkurrimit, bënë që të merrja një degë që ishte pak e rrallë në Shqipëri. Ishte një degë që akoma nuk kishte nisur një specializim të mirëfilltë për specializantët, por kishte kërkesë. Aty mu fut dhe pasioni, gjatë shkollës e kisha dëshirë kirurgjinë, por nuk e mendoja kurrë neurokirurgjinë si degë. Duke punuar në neurokirurgji atëherë, aplikova për një bursë të Kolegjit të Mjekësisë në Francë. Unë flisja frëngjisht. Kisha mësuar italishten. Kisha qenë një vit në Itali gjatë shkollës së mesme duke bërë punë për të fituar disa para, prindërit ishin në pension dhe bursa nuk u aprovua”.

 

“Nuk isha shumë i lumtur sepse qëndroja këtu, por pa qenë mirëfilli i trajnuar në neurokirurgji pasi nuk kishte një shkollë të mirëfilltë dhe pas disa muajsh vjen një letër nga profesor Rei në Paris, i cili kishte parë aplikimin tim dhe që më ishte refuzuar bursa dhe i kishte shkruar një letër dekanit, i cili në atë kohë ishte ndërruar dhe sekretarja e kishte marrë letrën, e kishte hapur dhe më merr në telefon. Më thotë, ka një letër në frëngjisht, nuk e di çfarë thotë, por është emri juaj. Shkoj me vrap lexoj që ai shkruante, më vjen keq që doktor Toshkëzit i është refuzuar bursa, por unë kam mundësi që ta pranoj në shërbimin tim, kundrejt një pagese si specializant dhe për mua ishte gjë shumë e mirë, shumë e bukur dhe nisem në Paris pa ditur asgjë nga Parisi, me një valixhe. Mbaj mend që ka qenë një specializant atëherë, në anestezi, shqiptar i cili më ka pritur tek aeroporti. I kam thënë, si më njohe se s’kishim as mundësi telefonash apo interneti siç i kemi sot dhe më thotë të kam njohur nga valixhja shqiptare”, tregon dr.Toshkëzi.

 

Kryeministri Rama theksoi se “në fund të këtij specializimi apo kësaj periudhe, gjendeshe në mes të Shqipërisë dhe Amerikës. Oqeani andej, Shqipëria këtej”.

 

“Kisha ato mëdyshjet. Në Paris pata një eksperiencë të shkëlqyer sepse aty mësova mjekësinë moderne, bashkëkohore, neurokirurgjinë e mirëfilltë nga profesorët e mi atje. Unë kam shkuar me shumë modesti  sepse mbaj mend ditën e parë kur profesori më ka pyetur çfarë di të bësh dhe me naivitetin e kohës i kam thënë unë vij nga një vend i vogël, por kam dëshirë të madhe të mësoj dhe të mësoj sa të mundem neurokirurgji pa i dhënë asgjë që unë di të bëj shumë gjëra. Kam parë të nesërmen, jam futur në një operacion shumë të gjatë, që për mua ishte dhe gjë shumë e bukur, por përgjegjësi e madhe dhe aty kuptova që ata më dhanë dorën dhe fillova të mësoja dhe kisha atë dëshirën që të mësoja çdo gjë. Isha në mëdyshje për t’u kthyer në Shqipëri. Kur kam shkuar kam menduar gjithmonë që do kthehem në Shqipëri, por gjatë qëndrimit atje, kishte interferenca apo shtysa dhe nga francezët, nga kolegët e mi, për sistemin amerikan, për standardin që ishte atje dhe fillova ta mendoja si ide”, nënvizon dr. Toshkëzi.

 

Pyetjes së kryeministrit Rama si ishte procesi i kalimit nga specializanti që është diçka midis studentit dhe profesionistit të besuar krejtësisht në Amerikë, dr.Toshkëzi iu përgjigj se “në Amerikë, ti nuk pranohesh kollaj, që të vish as nga Franca, as nga Shqipëria as nga një vend i Europës pa dhënë ato standardet dhe provimet dhe pa kaluar në procesin e rivlerësimit dhe pa ribërë edhe një herë specializimin”.