Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një dalje për mediat është pyetur se kur do të zhvillohet mocioni me debat për çështjen “McGonigal” dhe nëse do të jetë i pranishëm kryeministri Rama.

 

Balla thotë ky mocion me debat është miratuar dhe pritet që brenda 30 ditëve të zhvillohet. Propozimi i tij është që të jetë 12 orë dhe koha të jetë e ndarë sipas grupeve parlamentare.

 

Deputeti shprehet se kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në parlament.

 

“Në përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve javën e kaluar kemi miratuar mocionin me debat brenda 30 ditëve nga dita e depozitimit. Që të zhvillohet mocioni me debat na duhet që bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, Alibeaj, Dodën dhe Mediun, të ulemi dhe të përcaktojmë modalitetet. Kam propozuar 12 orë dhe koha e ndarë sipas grupeve parlamentare me parimin që çdo deputet të ketë 5 minuta dhe po ashtu që të bien dakord për datën. Në një nga të enjtet që vijnë, ne ta zhvillojmë këtë debat. Na duhet që ta diskutojmë me kryetarët e grupeve. Ndoshta edhe sot gjatë zhvillimit të seancës. Patjetër që do të jetë Rama.”

 

Balla tha se seanca parlamentare e ditës së sotme do t’i kushtohet deputetëve teksa nuk ka dhënë një përgjigje konkrete në lidhje me praninë ose jo të Kryeministrit Rama në këtë seancë.