Ambasadori i Turqisë: “Shpresojmë se ndërgjegjësimi për anën e errët të FETO-s në publikun shqiptar do të rritet dita ditës”

Sot, ashtu si tashmë është shndërruar në traditë, në Tiranë, në parkun “Dëshmorët e 15 korrikut” pranë Liqenit Artificial, përfaqësues të trupit diplomatik të Türkiye-s në Tiranë, duke nisur nga ambasadori i këtij vendi në Shqipëri, Z. Tayyar Kağan Atay dhe përfaqësuesit e zyrave të tjera diplomatike, po ashtu edhe dashamirës të Türkiye-s në Shqipëri dhe përfaqësues të mediave të ndryshme shtetërore dhe joshtetërore u mblodhën së bashku në orët e paradites për të kujtuar atë ngjarje të ndodhur para plot 7 vitesh në Türkiye, e cila ishte një pikëkthesë në luftën ndaj organizatës së quajtur më pas si FETO dhe të konsideruar si organizatë terroriste, por nga ana tjetër edhe një ditë kur humbën jetën më shumë se 250 persona dhe u plagosën mbi një mijë të tjerë, shumica prej tyre civilë, si përfundim i kësaj tentative tinëzare.

Në këtë ditë të shënuar, të konsideruar tashmë si “15 Korriku, Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar”, në fjalimin e rastit Ambasadori Atay theksoi se grushtshteti në fjalë u nis bazuar në direktivat e kreut të kësaj organizate që jeton prej vitesh në SHBA, mirëpo se u pengua në saje të përpjekjeve që treguan forcat e policisë, të ushtrisë dhe populli gjithashtu. Ambasadori shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë dëshmorët që sakrifikuan jetën e tyre gjatë rezistencës së tyre heroike dhe shprehu falënderimet e tij për ta. 

Atay e vijoi fjalën e tij duke bërë të qartë se gjatë gjykimeve të zhvilluara në shtetin turk është vërtetuar se ishte kreu i organizatës FETO ai që gjendej pas gjithë kësaj dhe se ndjekësit e tij kishin vepruar duke marrë urdhra nga ai. Ndërkohë, ashtu siç u shpreh dhe Atay, “tashmë shtylla kurrizore e FETO-s në Türkiye është shembur, mirëpo lufta ndaj kësaj organizate jashtë shtetit vijon me një vendosmëri të lartë”. 

Në vijim, duke theksuar faktin se ekzistenca e kësaj organizate vazhdon të jetë aktive në Shqipëri, ai tha se “Fatkeqësisht Shqipëria mike dhe vëllazërore, e cila u solidarizua me kombin turk natën e grushtit të shtetit, ende nuk i ka dhënë fund ekzistencës së strukturës së FETO-s, veçanërisht në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Shpresojmë se ndërgjegjësimi për anën e errët të FETO-s në publikun shqiptar do të rritet dita ditës.” 

Së fundmi, Ambasadori Atay bëri një thirrje ndaj shoqërisë ndërkombëtare në Shqipëri, duke u shprehur se “Ndaloni përpjekjet për të mbrojtur strukturën fetare, shkollat, spitalet dhe kompanitë e këtij rrjeti tinëzar, i cili ka tentuar një grusht shteti kundër Republikës së Türkiye-s dhe kombit turk dhe të nisur nga një organizatë e huaj inteligjente, dhe ndaloni presionin ndaj autoriteteve shqiptare për këtë qëllim”. 

Ndërkohë, ashtu siç Atay e theksoi haptazi “Kjo organizatë tashmë ka marrë fund në Türkiye, po ashtu çdo ditë po shkrihet edhe jashtë shtetit. Është Republika e Türkiye-s, një anëtare e NATO-s dhe kandidate e BE-së, e cila ka një rëndësi kritike për demokracinë, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përhershëm të Evropës ajo që është e përhershme.”

Në fund të programit përkujtimor të pranishmit, në shenjë respekti, vendosën lule pranë memorialit “Dëshmorët e 15 korrikut” për të kujtuar të rënët dëshmorë gjatë ngjarjes së grushtshtetit.