Një kompleks dritash që shërben si për argëtim edhe si njoftim për punë. Venecia po përjeton një mungesë të theksuar mjekësh familjarë dhe i ka dhënë jetë një fushate të titulluar “Doktor, qyteti më i bukur në botë po të pret!”. Bëhet fjalë për një përpjekje për të tërhequr mjekë nga e gjithë bota. Për këtë autoritetet kanë premtuar stimuj financiarë.

 

“Ne po përpiqemi të ofrojmë një klinikë ambulatore me një çmim simbolik dhe një shtëpi me qira me çmimin e duhur, t’i afrojmë ata me stafin e spitalit dhe t’i përfshijmë në aktivitetet spitalore, për të lehtësuar kujdesin e pacientit”, deklaroi Manuela Lanzarin, këshilltare shëndetësore, në rajonin e Venetos.

 

Fushata ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe turistëve. Doktorë nga territori italian, por edhe Brazili i janë përgjigjur tashmë ofertës.

 

Në 5 vitet e ardhshme, Venecia dhe ishujt e saj do të duhet të plotësojnë 44 vende mjekësh të përgjithshëm, me pagën mesatare mujore që varion nga 2 mijë e 500 në 5 mijë euro. Paketa përfshin edhe një vend të garantuar parkimi dhe një ambient të mirë pune.