Ekspertët po e quajnë “stuhi e të nxehtit”: Europa Juglindore vazhdon të mbetet në darën e përvëlimit dhe vendet më të prekura janë Spanja, Italia dhe Greqia.
Akropoli vazhdoi të mbetet i mbyllur edhe pasditen e së dielës, ndërsa një ishull spanjoll evakuoi katër mijë banorë nga rreziku i zjarreve pyjore. Në tre këto vende, zhiva e termometrit po shënon nivele rekord, duke dëmtuar bujqësinë dhe duke ua vështirësuar pushimet turistëve.
Agjencia Europiane e Hapësirës që vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga Hapësira paralajmëron se edhe në ditët në vijim të ketë temperatura më të larta. Sipas këtij organizmi, temperaturat e larta që vijnë kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike janë pjesë e një realiteti të ri me të cilin duhet të përshtatet bota.
“Kemi regjistruar javën e kaluar temperaturën e sipërfaqes së tokës në 60 gradë Celsius. Kjo nuk është temperatura e ajrit në kuptimin meteorologjik, por ajo tregon temperaturën aktuale të sipërfaqes së tokës, se si do të ndihej në prekje. Dhe ne besojmë se do të intensifikohet”, thotë Clement Albergel, Shkencëtar i Aplikimeve Klimatike në Agjencinë Europiane të Hapësirës. 16 qytete në Itali vazhdojnë të mbeten në alarm të kuq. Në Venecia, situata është edhe më e vështirë për turistët për shkak se në gondola aq të preferuara prej tyre, nxehtësia arrin deri në 50 gradë.
Ndonjëherë, vizitorët as nuk shkelin dot në këto varka nga i nxehti, dhe shumë pak gondolier përdorin mbulesë në dyshemenë e varkës që të mos digjen këmbët. Në ishullin spanjoll La Parma, të paktën 4,000 njerëz u evakuuan pasi një zjarr në pyll doli jashtë kontrollit. Dhjetë njësi ajrore dhe 300 zjarrfikës në terren bënë përpjekje të vinin nën kontroll zjarrin në ishull, i cili është pjesë e një arkipelagu spanjoll në brigjet e Afrikës perëndimore.
Të paktën 13 shtëpi u shkatërruan ndërsa zjarri u përhap, tha Fernando Clavijo, president i Ishujve Kanarie. “Kam parë shumë zjarre, por asnjë si ky. Kjo është e tmerrshme, e tmerrshme”, tha një banor i zonës. Sipas Agjencisë Europiane të Hapësirës për javën e ardhshme pritet edhe një tjetër valë të nxehti në Europën Jugore me temperatura edhe më të larta.