Spitali Rajonal i Dibrës duke nisur nga ky vit do t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë.

 

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socaile, Ogerta Manastirliu gjatë një takimi me mjekë dhe infermierë të Klosit dhe Matit.

 

Ministrja tha se, kemi rehabilituar dhe rindërtuar 11 qendra shëndetësore dhe ambulanca në qarkun Dibër.

 

Ajo tha se, “ne sot kemi një realitet tjetër që është ku e ku me atë që ishim. Spitali Rajonal i Dibrës është sot falë profesionalizmit të mjekëve dhe falë angazhimit tonë të mbajtur sot në këtë spital kemi mjekët e specialiteteve të ndryshme dhe madje në këtë spital kryhen dhe ndërhyrje të shkallës së lartë të vështirësisë siç janë ndërhyrjet laparoskopike falë angazhimit të mjekëve të rinj specialistë në këtë spital”.

 

Manastirliu tha se, “Spitali Rajonal i Dibrës duke nisur nga ky vit do i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, një investimi i cili do ta kthejë këtë spital në parametra evropiane. Për ne shërbimi shëndetësor duhet të jetë i njëjtë kudo me të njëjtat standarde”.

 

Ajo theksoi se, “plani ynë i zhvillimit të spitaleve është një plan i cili do të jetë gati jo vetëm për të siguruar infrastrukturën në gjithë spitalet rajonale”.

 

“Me fillimin e rehabilitimit të spitalit rajonal të Dibrës paralelisht dhe në spitale të tjera të vendit ne ngremë në një nivel të ri shërbimin spitalor publik nëpërmjet dhe përfshirjes së modelit të ri të autonomisë spitalore. Kjo autonomi do të shtrihet në spitalet universitare dhe rajonale për të mbështetur akoma më shumë profesionistët tanë me shpërblime sipas performancës dhe me mbështetje në teknologji”, tha Manastirliu.

 

Manastirliu bërë me dije edhe rritjen e targetuar të pagave për mjekët e familjes me 20 mijë lekë dhe infermierët me 15 mijë lekë, deri në vitin 2024.

 

Ajo e konsideroi rritjen e pagave një zotim të mbajtur nga qeveria shqiptare.

 

“Bëhen efektive këtë muaj pagat e reja me +50 mijë lekë për mjekët specialistë. Kemi vijuar me mbajtjen e zotimit tonë për rritjen me 7% të pagave për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët dhe ashtu si kryeministri Rama e ka premtuar, në planin e reformës së pagave me rritjen e pagave për mjekët e përgjithshëm me 200 $ në muaj për të gjithë mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët tanë e 150$ në muaj në vitin 2024”, tha Manastirliu.

 

Më shumë se 22 mijë punonjës të shëndetësisë, mjekë, infermierë, teknikë të shkencave mjekësore, por edhe punonjës të administratës spitalore do të përfitojnë nga rritja e pagave e cila për ka hyrë në fuqi që këtë muaj.