Ministrja e Financave dhe Ekonomise, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se performnca financiare e bashkive të vendit është përmirësuar, me nisjen e zbatimit të reform[s territoriale në vitin 2015.
Në konferencën “Financat vendore 2022”, të mbajtur sot në Tiranë, ministrja Ibrahimaj paraqiti raportin e financave vendore për vitin që lamë pas.
Ministrja vuri në dukje se reforma solli përmirësim edhe të shërbimit ndaj qytetarit.
“Që prej fillimit të reformës territoriale kemi marrë masa për përmirësimin e situatës financiare të bashkive. Reforma administrativo-territoriale ka sjellë përfitime edhe për qytetarët, të cilët sot kanë shërbimr publike më të mira, një mirëqeverisje në komunitetet e tyre”, tha ministrja.
Ajo shtoi se gjithashtu ka një përmirësim të ndjeshëm të autonomisë fiskale.
Sipas saj, buxheti vendor i vitit 2022 ishte 72% më i lartë se buxheti vendor i vitit 2015, që përkon me periudhën para reformës.
Në terma të GDP-së, buxheti i qeverisjes vendore ishte në nivelin e 2.3 % të PBB. Në vitin 2022 ai është në nivelin 3 % të PBB-së.
Ndërsa të ardhurat, tha Ibrahimaj ishin 11.7 miliardë lekë në 2015-ën dhe në vitin 2022 janë 27.6 miliardë lekë ose 2.3 herë më të larta se në vitin 2015.