Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, tha sot se procesi i zgjedhjeve të pjesshme në Himarë është duke u zhvilluar në një klimë të qetë dhe të paqtë dhe nuk ka patur asnjë incident.
Sipas tij, “procesi është shumë i qetë, s’ka pasur asnjë lloj presioni dhe problematike”.
Klosi iu përgjigj edhe akuzave për moslejimin e votuesve me karta identiteti të skaduara. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, ligji është i qartë në këto raste: kush ka dokument identifikimi në procesin zgjedhor duhet të jetë i vlefshëm.
“Tani që flasim ka votuar po i njëjti numër që ka votuar në zgjedhjet e një viti më parë. Kjo çështje e 6,000 qytetarëve që nuk u është lejuar e drejta e votimit nuk qëndron. Mund të ketë një numër të vogël qytetarësh që, për shkak të kartës së skaduar, nuk mund të votojnë. Kjo është dhe një çështje që parashikohet nga ligji. Nga opozita deri më dje s’ka pasur asnjë shqetësim për këtë. Ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka qenë këtu para pak ditësh, kur ishte në detyrën e ministrit të Brendshëm dhe ka kërkuar të bëhet rinovimi i kartave të identitetit apo dokumenteve biometrike”, tha Klosi.
Ai nënvizoi se “nuk ka asnjë pengesë që qytetarët të votojnë. Ky është zbatim i ligjit. Kërkesa e opozitës nuk besoj të jetë për të shkelur ligjin. Komisionerët, në zbatim të ligjit dhe asaj që KQZ ka parashikuar, kanë zbatuar rregulloren dhe ligjin”.
“Edhe një orë ka mbetur deri më tani nga përfundimi i zgjedhjeve dhe hapja e kutive të votimit, ku do të shohim rezultatin se për kë kanë votuar qytetarët”, u shpreh Klosi.
I pyetur mbi kandidatin e propozuar nga mazhoranca, Klosi tha se “Vangjel Tavo, kandidati ynë, ka bërë një fushatë elektorale spektakolare. Ka takuar qindra apo mijëra qytetarë, në mos të gjithë qytetarët e bashkisë së Himarës, për të ndarë me ta programin. Kemi bërë punën tonë përgatitore. Është mirëpritur nga qytetarët e Himarës dhe për këtë ndihemi të qetë, pasi kemi realizuar të gjitha detyrat. Për sa i takon rezultatit, besoj se do të numërohen rreth 8,000 e pak vota, që brenda mëngjesit të ditës së nesërme do të kemi rezultatin”, përfundoi Klosi.
Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Numri i zgjedhësve që janë ftuar të votojnë sot në Bashkinë Himarë është 23.074./ata