Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë mesnatës në Qafën e Dëvrisë, disa kilometra larg fshatit Gjerbës në Skrapar.
Bëhet me dije se shtetasi turk, 60-vjeçari Osman Akçay ka gjetur vdekjen aksidentalisht në një kantier ku nxirren pllaka mermeri, teksa ishte duke punuar.
Mësohet se viktima gjatë momentit kur ka ndodhur ngjarja ka qenë duke punuar ndërsa cisterna me ujë e njërit prej kamionëve të firmës është shkëputur gjatë ngjitjes së mjetit në zonë malore dhe e ka zënë poshtë.
Sipas BW, shtetasi turk ka gjetur vdekjen në vend dhe trupi i tij i pajetë do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku edhe do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.
Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se ngjarja ka qenë aksidentale dhe se firma e nxjerrjes së mermerit ishte në pronësi të një shtetasi grek.