Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur sot për situatën e krijuar nga zjarret në vend, ku problematike janë cilësuar vatrat në Fier dhe në Vlorë.

 

Në një takim me Prefektët, kryetarët e bashkive si dhe drejtues të strukturave operacionale të mbrojtjes civil, Peleshi ka diskutuar në lidhje me masat për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës.

 

Gjatë fjalës së tij Peleshi kërkoi koordinim më të mirë të punës për përballimin e emergjencave në nivel vendor.

 

Por nga ana tjetër nuk kanë munguar as kritikat për disa nga bashkitë e vendit.

 

Peleshi ka theksuar se disa bashki kanë njoftuar për helikopter atëherë kur e kanë parë situatën tepër serioze.

 

“Ka bashki që s’e kanë parësore punën e emergjencave. Kur zjarri shkon në qiell, i bien telefonit dhe kërkojnë helikopter. Helikopteri ‘Cougar’ është në punë prej dy ditësh.  Sinjalizimi i hershëm është vendimtar për zjarret”, deklaroi Peleshi.

 

“Ne nuk jemi një vend pa kapacitete operacionale. Kemi 1600 punonjës zjarrfikës në të gjithë vendin, 182 mjete zjarrfikëse, 80 autobote uji, kemi personelin dhe mjetet e FA që siç e dini që në çdo emergjencë janë në ballë të aksionit, të gjitha strukturat e policisë që është në dispozicion dhe me të cilët punojnë shumë mirë, urgjencën shëndetësore, rrjetin e vullnetarëve, etj”, u shpreh Peleshi.

 

Sipas tij, që prej një viti Shqipëria ka edhe mbështetje shumë të madhe nga anëtarësimi me të drejta të plota në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.

 

“Kjo do të thotë që nëse në të gjitha nivelet vendore e qendrore shterojnë burimet, ne kemi edhe një suport nga ky mekanizëm që na ka funksionuar dhe është një nga më efiçentët. Teknologjia është shtuar. Kemi dronët për rikonjicionet, kemi dronët ”Puma” që janë vënë në punë nga viti i kaluar e që na japin informacion shumë të dobishëm dhe në kohë shumë të shpejtë. Gjithashtu edhe imazhet satelitore janë tani një ndihmë dhe një vlerë e shtuar”, u shpreh Peleshi.

 

Sipas të dhënave satelitore, Ministri Peleshi tha se janë evidentuar 125 vatra zjarrit në muajt qershor-korrik, vatra të cilat janë menaxhuar shumë mirë nga njësitë vendore. Duke folur për situatën aktuale në dy vatrat aktive, në pyllin e fshatit Peshtan në Fier dhe fushën e mbetjeve në Vlorë, z.Peleshi u shpreh se zjarret janë në gjendje shumë kritike.

 

Ai tha se zjarri në fushën e mbetjeve të Vlorës sot po përballohet nga forca të shumta të FA. Në Peshtan kemi 50 efektivë, dy autobotë uji, 15 forca bashkiake, krahas 50 forcave policore dhe helikopterit Cougar që ka punuar vazhdimisht.