Shoqatat e biznesit kanë shprehur sot shqetësimin për efektin që zhvlerësimi i euros po jep në aktivitetin e tyre, por jo vetëm.

 

 

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ata paralajmërojnë se ky zhvlerësim rekord i euros po sjell pasoja të rënda në ekonominë e vendit dhe bizneset prodhuese dhe eksportuese janë në limitet e ekzistencës së tyre.

 

“Tashmë pasojat tepër të rënda të mbiçmimit të lekut deri në kursin e këmbimit ‘1 me 1’ po shfaqin efektet e para: në tërësi në ekonomi (ulje dy shifrore të eksporteve prej disa muaj radhazi), po shfaqin efekte të drejtpërdrejta në xhepat e qytetarëve që të ardhurat i kanë nga remitancat, apo jo pak nga ata që i kanë kreditë për shtëpi në euro, ndërsa specifikisht për bizneset eksportuese është i garantuar falimenti.  Gjatë gjithë kësaj periudhe, bizneset (sidomos ato eksportuese), kanë ndjekur rrugën institucionale për të adresuar rreziqet dhe për të bashkëpunuar me aktorët institucionalë për zgjidhjet, por është fakt që nuk ka patur asnjë progres (ndërsa regresi i kompanive eksportuese deri në faliment është realitet që agravon përditë).  Për fat të keq, ekspertët dhe këshilltarët ekonomikë të institucioneve qendrore publike me të cilët është diskutuar katastrofa ekonomike për shkak të mbiçmimit të pakontrolluar e të pashpjegueshëm të lekut, nuk kanë reflektuar koshiencën e plotë mbi rëndësinë e situatës dhe dimensionet e pasojat ekonomike e sociale që mund të prodhojë ende në vijim kjo situatë”-thuhet në deklaratë.

 

 

Shoqata ngre shqetësimin se Banka e Shqipërisë nuk po vepron për të stabilizuar tregun e këmbimit valutor, duke refuzuar të bëjë transparencën se çfarë po ndodh me këmbimin.

 

“Këto stafe teknike që këshillojnë qeverinë, është fakt që efektivisht por e keqkëshillojnë atë, për shkak të mosnjohjes së ekonomisë reale, por edhe papërgjegjshmërisë politike që ata kanë.Nga ana tjetër Banka e Shqipërsië, jo vetëm që nuk ka treguar ndonjë rol për të stabilizuar tregun e këmbimit valuator, por ka refuzuar të bëjë transparencë për përmbushjen e detyrave ligjore që ka lidhur me ecurinë e këmbimit valuator, për të shpjeguar me statistika e të dhëna konkrete e të kuptueshme se: çfarë ka ndodhur që mbiçmohet monedha vendase në Shqipëri ndryshe nga kudo në Europë? Çfarë projeksioni e perspektive ka kjo çështje?

 

Nuk ka asnjë shpjegim e arsyetim zyrtar nga Banka e Shqipërisë, se pse mbiçmimi i lekut është rrjedhojë logjike e zhvillimit ekonomik të vendit – çka do të thotë që bizneset eksportuese të parat, por edhe të gjitha bizneset e madje edhe qytetarët, efektivisht ushtrojnë aktivitet ekonomik e financiar në ambient të pasigurtë!”- thuhet më tej.

 

Pas disa takimeve të me institucionet, ata deklaruan publikisht se bizneset ekpsortuese por edhe ato prodhuese, janë në limitet e rezistencës ekonomike e financiare të tyre.

 

“Tashmë janë prodhuar dëme, pasojat e të cilave do ndihen në muajt në vijim, por nëse zgjidhja e situatës nuk do bëhet menjëherë, pasojat afatgjata ekonomike – sociale, do jenë shumë të rënda dhe buxheti i shtetit dhe ekonomia në tërësi, do të ballafaqohen për ti kompensuar me buxhete shumë më të larta se sa ato që kërkon zgjidhja immediate.”-mbyllet deklarata.

 

Edhe pse monedhat e huaja e kanë nisur javën me një rritje të lehtë kundrejt lekut, ato sërish janë zhvlerësuar deri më 20% nga një vit më parë.