Vetëm 6 km larg rrugës së kombit, ndodhet fshati Katund i Vjetër në Mirditë, një nga destinacionet turistike që ka njohur zhvillim gjatë viteve të fundit. Natyra, prodhimet lokale dhe banoret punëtore e mikpritës, e kanë kthyer këtë zonë mjaft tërheqëse për vendasit e të huajt.
Rritja e temperaturave ka shtuar numrin e turisteve të cilët vinë nga vende të ndryshme të botës. Ata vlerësojnë bukuritë e kësaj zonë dhe mikpritjen e vendasve.
"Unë kam ardhur nga Holanda, bashkë me familjen për të kaluar ca ditë pushime këtu. Këtë vend e kemi gjetur në internet dhe po na pëlqen shumë. Natyre është e mrekullueshme. Ke mundësi të ecësh në natyre. Unë dua të vlerësoj dhe mikpritjen këtu. Njerëzit janë shumë miqësor dhe të dashur. Këto ditë që po kaloj këtu janë fantastike dhe është e sigurte që do të rikthehem sërish", tha një turist.
"Unë sot erdha këtu dhe po më pëlqen shumë. është qetësi ajër i pastër dhe një natyre e mrekullueshme. Ja vlen që të kalosh disa ditë këtu në Katund të Vjetër, pasi qenka një vend i mrekullueshëm. Do ju sugjeroja dhe miqve të mi të vinë këtu, pasi dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Krahas bukurive edhe ushqimi është shumë i shijshëm. Unë kam shëtitur në shumë vende të botes, por zona si kjo nuk ka arritur të shoh dhe ta shijoj kaq shumë"”, tha një tjetër.
Resurset natyrore i kanë shfrytëzuar më së miri banorët e Katundit të Vjetër duke ngritur bujtina e restorante të cilët janë mjaft të frekuentuara. Teksa thonë e numri i turisteve është gjithnjë në rritje, vendasit kërkojnë më shumë investime në infrastrukture dhe rrjetin elektrik.
“Katundi i vjetër është i preferuar nga vende të ulëta. Janë të interesuar për natyrën. Kërkojnë dhe të shohin të kaluarën tonë, jetesën tonë dhe të kenë kontakt për njerëzit”, tha Bajron Nikolli, operator turistik.
E pasur me bukuri natyrore, kulture, histori dhe gastronomi turizmi në Mirditë po njoh gjithnjë e më shumë zhvillim dhe këtë e dëshmon dhe numri turisteve i cili është gjithnjë në rritje./BalkanWeb