Të ndihmuar nga banorët, qindra zjarrfikës portugez luftuan me flakët në një park kombëtar pranë destinacionit të njohur turistik të Cascais të martën, por erërat e forta ndërlikuan përpjekjet e tyre.
Zjarri ka rënë në orën 17:00 me orën lokale, në një zonë malore, pjesë e Parkut Kombëtar Sintra-Cascais, i cili ka një sipërfaqe prej 145 kilometrash katrorë dhe ndodhet në perëndim të kryeqytetit, Lisbonës.
Mbi 600 zjarrfikës me 189 automjete janë vendosur në zonë. Avionët u përfshinë gjithashtu në përpjekjet për shuarjen e zjarrit, por pushuan operacionet pasi ra errësira.
Në një fshat të shkatërruar nga zjarri, banorët e dëshpëruar u përpoqën të mbronin shtëpitë e tyre me kova dhe goma ndërsa erërat e forta ndezën më shumë flakët.
“Frika jonë është se do të arrijë në shtëpi,” shpjegoi 34-vjeçarja Ines Figueredou, ndërsa tymi mbushte ajrin. “Ne përpiqemi të ndihmojmë me aq sa mundemi”.
Kryetari i bashkisë së Cascais, Carlos Cajeiras, theksoi se sfida më e madhe janë erërat, të cilat arrijnë shpejtësinë 60 kilometra në orë, duke shtuar se disa persona janë larguar me nxitim nga shtëpitë e tyre si masë paraprake.
Banorët përdorën karriget me rrota për të larguar njerëzit që nuk mund të largoheshin.
Zjarrfikësit “po bëjnë gjithçka që munden”, tha Miguel Medeiros, një banor që ndihmon në përpjekjet për shuarjen e zjarrit, por situata “është e vështirë për të gjithë”.
Sipas autoriteteve, asnjë shtëpi nuk është dëmtuar dhe nuk raportohet për lëndime serioze deri më tani. Portugalia, e cila deri më tani i ka shpëtuar valës së të nxehtit dhe zjarreve në pjesën më të madhe të Evropës jugore, është shpesh ndër vendet më të goditura nga zjarret, sipas të dhënave të BE-së.
Në korrik, valët e të nxehtit nga Kina në SHBA dhe Evropa Jugore regjistrohen njëkohësisht, duke shkaktuar mungesë uji dhe një rritje të madhe të shtrimeve në spital për shkak të temperaturave të larta.