Zjarri në ishujt grekë Rodos dhe Korfuz vijon të përhapet në mënyrë të pakontrolluar, me zjarrfikës dhe vullnetarë që bëjnë një betejë mbinjerëzore, ndërsa erërat mbeten të forta.

 

 

 

Në Korfuz zjarri është përhapur në dy fronte, në zona të paarritshme. Mjetet ajrore kanë punuar pa pushim për ta shuar atë, sepse ekziston frika për shtrirje të mëtejshme tij nga era që parashokohet të fryjë orët në vijim.

 

Pas orëve të vështira të përjetuara nga banorët e Luces, Sykit dhe Imerolias, sot të gjithë të moshuarit që ishin larguar po kthehen në shtëpitë e tyre. Banorët më të rinj kishin qëndruar dhe ndihma që ofruan për zjarrfikësit ishte e madhe.

 

Mediat greke shkruajnë se zjarri në Korfuzin verilindor krijoi një valë të madhe vullnetarizmi në të gjithë ishullin. Qytetarë të të gjitha moshave dhe me çfarëdo mjeti në dispozicion ndodhen që dje në pikat më kritike për të ndihmuar, ndërsa në të gjitha fshatrat grupe qytetarësh patrullojnë ditën dhe natën në zonën e tyre. Autoriteti Bashkiak i Korfuzit të Veriut këmbëngul se zjarri ka ardhur për shkak të zjarrvënies.

 

Në Rodos, zjarri vijon për të 9-tën ditë dhe aty ku një front shuhet, një tjetër rindizet. Gjatë gjithë natës zjarrfikëse dhe shumë grupe vullnetarësh kanë luftuar në këto zona dhe kanë mundur të parandalojnë përhapjen e zjarrit.

Ndërkaq prokurroia ka nisur një hetim për shkaqet e zjarrit që djeg ishullin prej 9 ditësh.