Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zhvilluar ditën e sotme një deklaratë për mediat, ku ka njoftuar se nuk do të tërhiqet nga njoftimi për mbledhjen e Këshillit Kombëtar ditën e nesërme.

 

 

Në lidhje me thirrjen për në Komisionin e Etikës, Bardhi tha se jep llogari vetëm në Këshillin Kombëtar.

 

Ai bëri me dije se secili anëtar që merr pjesë do jetë i dokumentuar dhe mbledhja do të zhvillohet online, pasi sipas tij e ka të pamundur për të përdorur fondet e PD për të marrë ambiente me qira.

 

 

“Sot jam për të komunikuar me çdo anëtarë të PD ato 25 mijë që u shpallën dje si mbështetës së Bashës dhe mbi 50 mijë që u hoqën sepse nuk mendojnë si Basha, se në cilësinë time si Sekretari i Përgjithshëm kam zbatuar vetëm statutin e PD. Qëndrimi im ka qenë i njëjtë një vit e gjysmë më parë kur Berisha ndoqi të njëjtën rrugë, dhe është i njëjtë sot që Basha po përsërit.

 

Njoftimi është kompetencë ekskluzive e Sekretarit të Përgjithshëm. Secili nga kolegët është i lirë të marrë pjesë ose jo në Këshillin Kombëtar. PD nuk ka lindur sot kur ata u ulën në karrigen e Anëtarëve të Kryesisë, por ka zhvilluar disa mbledhje online, siç ishte dhe mbledhja për miratimin e kandidatëve për deputetët.

 

Se kush i shërben Berishës, Metës dhe Ramës, opinioni publik ka pasur mundësi dhe do ketë edhe në ditët në vijim ta shohë dhe ta provojë me fakte. Sekretari i Përgjithshëm i ka shërbyer vetëm interesave të qytetarëve. Traktet dhe fletë rrufetë e tipit të Byrosë Politike, nuk janë europiane. Sot jam njohur dhe me një kërkesë të Komisionit të Etikës, që nuk ekziston, që duhet të shkoj të jap llogari për vendimet. Llogari i jep vetëm Këshillit Kombëtar që mblidhet nesër. Secili anëtar që merr pjesë do jetë i dokumentuar. Pse online? Sepse e kam të pamundur për të përdorur fondet e PD për të marrë ambiente me qira.”, tha ai.