Nga Denis MacShane

(Denis MacShane është ish-ministër i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Europën dhe Amerikën e Veriut)

Javën e kaluar, unë ndoqa seancën pranverore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. Parlamentarë nga 46 shtete europiane, përfshi ish-ministra konservatorë, votuan për të pranuar anëtarësimin e Kosovës pavarësisht kundërshtive të zëshme nga Serbia.

Debati u udhëhoq nga Dora Bakoyannis, ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis, udhëheqës i qendrës së djathtë, që ka refuzuar të gjitha marrëveshjet me neo-nazistët e të djathtës ekstreme greke, ndryshe nga disa homologë më në veri të Europës.

Ajo hartoi një raport gjithëpërfshirës që shpjegon përse qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë mbrojtjen e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut që zbatohet nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, tek e cila ulet dhe gjyqtari britanik Tim Eicke.

Kjo nënkupton se kosovarët kanë tanimë mbrojtjen e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe njëkohësisht, disa konservatorë britanikë, përfshi kryeministrin Rishi Sunak, duan ta heqin këtë mbrojtje për qytetarët. Sunak ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut nëse ajo pranon apelime nga azilkërkues në Britani kundër përjashtimit nga vendi, pa rishikimin e dosjeve të tyre në gjykata.

Greqia feston 200-vjetorin e pjesëmarrjes dhe vdekjes së Byron në çlirimin e saj nga pushtimit osman. 25 vite më parë, Tony Blair krijoi një koalicion ndërkombëtar të SHBA dhe BE për t’i dhënë fund pushtimit brutal kolonial serb në Kosovë.

Ishte një regjim i frikës nën autokratin serb Sllobodan Millosheviç, që përfshinte skuadrat e vdekjes, spastrimin etnik, vrasjen e dhunshme të familjeve të tëra nga ushtarët serbë dhe drejt fundit, gjysma e popullsisë kosovare kërkuan strehë jashtë vendit, me shumë që erdhën në Britani.

Zyra e Jashtme nën kryeministrin e atëhershëm, John Major, e kishte qetësuar Millosheviçin, duke shtrënguar dhëmbët por duke refuzuar të ndërmerrnin një veprim konkret. Blair ishte i gatshëm të angazhonte fuqinë ushtarake dhe Millosheviçi u tërhoq, ushtria serbe u mposht ashtu siç Byron ndihmoi grekët që t’i largonin osmanët nga Greqia 200 vite më parë.

Fatkeqësisht dhe gabimisht, Greqia ka refuzuar ta pranojë Kosovën si një demokraci të vogël dhe të varfër që duhet t’i bashkohet Europës, po ashtu siç Greqia e vogël dhe e korruptuar u mbështet nga Margaret Thatcher  për t’iu bashkuar Komunitetit Europian të 1984.

Është në nderin e Dora Bakoyannis që ajo dha argumentet që Kosova t’i bashkohej Këshillit të Europës dhe të gëzonte mbrojtjen nga GJEDNJ, edhe nëse partia në pushtet e vëllait të saj të nacionalizmit të kotë grek mbështet narrativën e Serbisë (dhe Kremlinit) se Kosova nuk ekziston.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Churchill qarkulloi një protokoll kabineti për një “Këshill të Europës” që mund të bashkonte kombet në luftë të Europës sapo të mposhtej Gjermania.

Qeveria laburiste e Clement Attlee iu kundërvu Churchill dhe sanksionoi çdo deputet laburist që mbështeste partneritetin me Europën. Kur Britanisë iu dha mundësia për të udhëhequr krijimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Hekurit në 1950, qeveria laburiste e shpërdoroi rastin për të qenë udhëheqëse në Europë.

James Callaghan, asokohe një deputet i ri laburist, tha pas tërheqjes si kryeministër më 1979 se ai preferonte “Perandorinë ndaj Europës” dhe se mentaliteti i Anglisë së vogël kishte pushtuar Partinë Laburiste britanike deri në 1990.

Me t’u kthyer në Downing Street, Churchill mbështeti plotësisht krijimin e Këshillit të Europës dhe juristët konservatorë hartuan statutet e GJEDNJ.

Hera herës, gjykimet e saj kanë lënduar ndjenjat e kryeministrave britanikë. GJEDNJ i dha fund praktikës së burrave të rritur që dhunonin djemtë e vegjël në shkolla. Rrëfim personal. Ende i kam shenjat e “Tawse” (kamxhik), një rrip lëkure me buzë metalike që përdorej nga mësuesit skocezë për të rrahur nxënësit që bënin gabime gjatë një qëndrimi të shkurtër në një shkollë fillore pranë Gllasgout, përpara se t’i rikthehesha ndëshkimit të butë të rrahjes në fund-shpinë nga murgjit benediktianë në Ealing.

Më kryesorja, Margaret Thatcher e pranoi gjykimin e GJEDNJ pas një çështjeje të ngritur nga qeveria irlandeze mbi disa praktika të marrjes së ashpër në pyetje të përdorur nga forcat britanike të sigurisë në reagimin ndaj terrorizmit IRA në vitet ’70 që ngjasonin me torturën dhe duhet të merrnin fund.

GJEDNJ e ka mbështetur ankesën e një grupi grash pensioniste zvicerane se cilësia e jetës së tyre është përkeqësuar nga ndotja e ajrit në Zvicër. Sigurisht, Partia Popullore zvicerane, myslimano-fobe, anti-emigracionit dhe anti-BE, u zemërua, por pjesa tjetër e klasës politike zvicerane e mori gjykimin e GJEDNJ si një shtysë për t’i marrë më seriozisht emetimet e dyoksidit të karbonit.

Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, bëri një gjykim të ngjashëm për vdekjen e një vajze të re nga astma, e përkeqësuar nga ajri i ndotur i Londrës, pa asnjë revoltë nga politikanët britanikë apo analistët se gjykatësi nuk kishte të drejtë ta bënte.

BE sapo ka miratuar rregulla të reja për kthimin e azilkërkuesve pa dokumente. Nëse nuk do kishte ndodhur Brexit, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të ndihmonte në krijimin e një politike të gjerë dhe ligji europian për të frenuar problematikën e emigracionit të pakontrolluar.

Krahasuar me vende të tjera të Europës ku trafikuesit i shoqërojnë refugjatët në rrugë të largëta dhe i lënë për të pretenduar azil, Britania ka shumë më pak gomone të ardhura në Ngushticën e Doverit.

Mbretëria e Bashkuar lejon qytetarë nga 111 shtete të vijnë pa viza në Heathrow dhe aeroporte të tjera. Disa prej tyre zhduken në tregje “të zeza” të punës dhe bëhen shoferë “ilegalë” apo punonjës në kafene dhe kuzhina restorantesh.

Në fund, nëse Sunak do luftë me 45 shtetet europiane anëtare të GJEDNJ, ai mund të detyrohet të tërhiqet nga Traktati i Churchill dhe detyrimet për t’ju bindur ligjit ndërkombëtar. Ai do t’i bashkohej kështu Rusisë së Putinit, që është jashtë GJEDNJ pas pushtimit të Ukrainës.

 

Në programin Today të BBC, një ish-sekretare konservatore, Suella Braverman, bënte thirrje për këtë kurs veprimi. Mund ta dëgjoni Churchill që rënkon në varrin e tij./GazetaDita