Pas vendimeve të marra dje në mbledhjen online të Këshillit të PD të thirrur nga Gazment Bardhi, mes të cilave dhe anulimi i zgjedhjeve, ka reaguar Indrit Sefa, Sekretari për Çështjet Ligjore.

 

 

 

Me tone ironike, ai ka thënë se deklaratat e Bardhit ishin qesharake, ndërsa i ka uruar suksese për ‘krijimin e partisë së parë digjitale në vend’.

 

Sakaq, ai ka thënë se PD nga ana e saj do të vijoje normalisht procesin e reformimit të saj dhe të zgjedhjes së kryetarit në datën 29 korrik.

 

Reagimi i Sefës:

 

Nuk ka gjë më qesharake se deklarata e sotme e Gazment Bardhit që ngarkon dhe shkarkon institucionet e PD, përfshirë dhe kryesinë, pasi përfundon një takim imagjinar.

 

Çdo demokrat ndihet sot i turpëruar për këtë keqpërdorje të radhës që Sali Berisha po i bën deputetëve të PD për interesat e tij personale. Hallet e Sali Berishës nuk janë hallet e demokratëve. Dhe të gjithë ata që i shërbejnë qëllimeve të tij e kanë të shkruar fatin e tyre në 3 dekadat e pluralizmit shqiptar.

 

I urojmë zotit Bardhi suksese për krijimin e partisë së parë digjitale në vend. Është një hap inovativ që duhet përshëndetur. PD nga ana e saj do të vijoje normalisht procesin e reformimit të saj dhe të zgjedhjes së kryetarit në datën 29 korrik. Vetëm kështu mund ti shërbejmë qëllimit të demokratëve në përballjen me regjimin e Edi Rames.