Një 45-vjeçar është vënë në pranga pasi akuzohet për vjedhjen e disa banesave në kryeqytet.
Uniformat blu bëjnë me dije se falë operacionit “Smart Keys”, kanë vënë në pranga shtetasin me iniciale A.G. 45-vjeç dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me paramendim”.
Ky shtetas në bashkëpunim me një tjetër të shpallur në kërkim gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë në 14 banesa në zona të ndryshme të Tiranës
“Operacioni policor i koduar “Smart Keys” ka zbardhur dhe dokumentuar 14 vjedhje të banesave në Tiranë me anë të çelësave të klonuar.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i 45-vjeçarit me iniciale A.G. banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me paramendim”. Gjithashtu u shpall në kërkim 48-vjeçari me iniciale G. K., i dënuar më parë për të njejtën veprimtari kriminale, në shtetin gjerman.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë në 14 banesa në zona të ndryshme të Tiranës.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt në pronësi të bashkëshortes së 45-vjeçarit A. G., të cilin 2 autorët e dyshuar e përdornin për të fshehur sendet e vjedhura dhe mjetet që përdornin gjatë vjedhjeve, u gjetën dhe sekuestruan çelësa të ndryshëm, pajisje alumini që shërbejnë për veshjen e çelësave, dy aparate celulare, një bajonetë, një përforcues grushti, dhe veshje të ndryshme të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjithashtu u sekuestruan dhe dy automjetet e autorëve, të cilët i përdornin gjatë kësaj veprimtarie kriminale.
Vijon puna për kapjen e 48-vjeçarit G. K., si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.