Lulzim Basha, kandidati që konkurron përballë Gjergj Hani për kreun e ri të Partisë Demokratike votoi këtë të shtunë rreth orës 11:00.

 

Në një deklaratë për mediat, Basha tha pas votimit, se ishte mirënjohës për të gjithë demokratët që do të kontribuonin me votën e tyre këto zgjedhje.

 

“Një ditë me domethënie të veçantë do thosha, edhe për nga rrethanat unike për Partinë Demokratike. Unike sepse jemi përballur me sfida si akush, sepse ata mijëra demokratë që i drejtohen sot kutive të votimit kanë përballuar sulme nga më të padenjat, më të pamerituarat dhe vazhdojnë të qëndrojnë, jo për veten e tyre, jo për fatet e tyre personale, por për kauzat dhe vlerat që bashkojnë këtë familje politike në shërbim të shqiptarëve dhe sot kjo dalje masive për të cilën që në orët e para të mëngjesit kam marrë qindra mesazhe shoqëruar dhe me foto, të pjesëmarrjes së demokratëve në këtë proces, të sfiduar, të sprovuar, por të vendosur që përmes votës së tyre sot të rinisin një ringritje të Partisë Demokratike, jo vetëm për demokratët, por me dhembshuri për çdo shqiptar, me shpresë te Shqipëria dhe me besim të Zoti,” – u shpreh Basha.