Policia e Shtetit apeloi sot drejtuesit e mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia ndau rastin e një mjeti me shpejtësi 180 km/h në Rrugën e Kombit, ku shpejtësia e lejuar është 100 km/h.
Policia ka vendosur masën 40 mijë lekë gjobë për drejtuesin e mjetit si dhe pezullim të lejes së drejtimit.
“Stop shpejtësisë tej normave të lejuara, shpejtësia në rrugë vret jetën. Udhëtoni me jetën në mendje, mos fluturoni të arrini detin, duke dëmtuar jetën dhe shëndetin tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës!”, apelon Policia e Shtetit.
“Respektoni sinjalistikën rrugore, udhëtoni me shpejtësi brenda limiteve të lejuara, që mbërritja në plazh të jetë e sigurtë!”, thekson policia.
“Mos drejtoni mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur! Alkooli mpin trurin dhe vret jetën”, nënvizon policia në apel.
“Vendosni rripin e sigurimit dhe mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit! Përqendrohu në timon! Familja ka nevojë për ty!”, shton Policia e Shtetit.
Policia thekson se, “në të gjitha rrugët e vendit 24/7, vijojnë kontrollet me makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamerat dhe alkool-testuesit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Kontribuoni të gjithë për sigurinë rrugore”.