Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes dy ditore të qeverisë në Tepelenë, foli edhe për programin e parkut kombëtar të Vjosës.

 

“Programi i parkut kombëtar ka brenda zgjidhjen e problemit të kanalizimeve dhe mbetjeve. Këto bëhen me fonde dhe në këtë drejtim jemi duke bërë projektin edhe për qendrën e parë të pritjes në parkun kombëtar të Vjosës. Dhe për këto ndërhyrje kemi dhe një mbështetje të konsiderueshme nga partnerët me të cilët kemi lidhur këtë aleancë për Vjosën”, tha Rama.

 

Kryeministri u ndal në aksionin që vijon qeveria për pastrimin e vendit nga mbetjet.

 

“Ne jemi të vetëdishmë për këtë problematikë. Paraprakisht më lini t’ju them se sa i takon mbetjeve, se Shqipëria më e pastër sesa sot ska qenë kurrë. Dhe kini parasysh se në Shqipëri kemi një numër turistësh këtë vit që është marramendës”, theksoi Rama.

 

Megjithatë, vijoi ai, pavarësisht se rritja e numri të turistëve në një industri të turizmit ku prurja kryesore vjen nga turizmi i masës, kjo shoqërohet dhe me rritje të mbetjeve.

 

“Pavarësisht kësaj keni vënë re se pastërtia mbetet edhe këtë vit dhe kjo është kënaqësi e madhe për mua dhe është meritë e padiskutueshme e Ministres së Turimit dhe Mjedisit që i rri në kokë të gjithë këtij procesi ditën dhe natën dhe në kohë reale informohet mbi operacionet e kryera për këtë pastrim, pikat ku të gjithë turistët e huaj thonë se jemi të impresionuar nga pastërtia”, u shpreh kryeministri.

 

Rama tha se, “për sa i përket Vjosës, po të mos i kishte qendruar në kokë ministrja, që është dhe deputete dhe drejtuese politike e këtij qarku, Vjosa sot sdo ishte shpallur park kombëtar. Por jo ta shpallësh dhe ta shohësh, por ta shpallësh park kombëtar me një aleancë aq të gjerë”.

 

Kryeministri tha se, mund të penalizosh sa të duash njësitë vendore se përse ujërat e zeza derdhen në Vjosë. Por nuk di ndonjë mënyrë sesi ujërat e zeza mund të kthehen në rrugë pa investim.

 

“Kapacitetet e njësive vendore nuk janë të atilla që mund ta përballojmë këtë ndryshim. Prandaj ne parkun kombëtar e kemi shoqëruar me një aleancë që bashkëfinancojmë për transforimimin e tij. E njëjta gjë dhe për mbetjet për të cila flitet. Do ishte ndihmë e madhe, që të shtonim dhe kontributin negativë të shumë individëve që kalojnë hedhin shishet. Për fat të mirë e të keq, në Shqipëri nuk ka shkuar në burg askush, as për hedhje plehrash dhe as për mos pagim energjie. Se dhe kjo e energjisë është bërë sikur… Askush ska shkuar në burg që ska paguar dritat, por ata që kanë vjedhur dritat”, tha Rama.